TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Maqedonia ia ka lënë Financat dy shqiptarëve të quajtur Fatmir. Duke ndjekur këto ditë, Fatmir Besimin, ministrin e Maqedonisë, koleg i Anila Denajt dhe kryeministrin e vendit fqinjë, Zaev si dhe Ramën që tenton të rrijë për një mandat të tretë, Fatmir Bytyqin, koleg i Erion Braces në Maqedoni, të lind ideja se qytetarët tanë kanë mbetur jetim. Nga krahasimi i mëposhtëm do të kuptoni pse maqedonasit janë me fat që kanë dy Fatmirët dhe pse ne jemi fatkeq me zyrtarët tanë.
TPZ.al sjell një krahasim të paketës së katërt të ndihmës financiare në kuadrin e ringritjes nga goditja e Cov-19, që hyri dje në fuqi në Maqedoni dhe të vendimit të fundit të qeverisë Rama për ndihmën e bizneseve.
Shqipëria
Në datën 4 nëntor 2020, u firmos nga zëvendëskryeministri Brace vendimi “Për ndihmën financiare të disa prej kategorive kryesore të ndërmarrjeve të cilat zbatojnë protokollin e sigurisë në kuadër të parandalimit të kontrollit të pandemisë Covid 19”.
Ky vendim synon ndihmën për ndërmarrjet e kategorizuara të vogla dhe të mesme në sektorin e prodhimit.
Ndihma shtrihet për periudhën nëntor-dhjetor 2020 dhe u jepet ndërmarrjeve për të mbuluar një pjesë të shpenzimeve, për të zbatuar protokollet në kuadër të pandemisë COVID-19, bazuar në numrin e të punësuarve.
Ndërmarrjeve u jepet si ndihmë financiare një shumë fikse, në masën 4 000 (katër mijë) lekë për çdo punonjës, e llogaritur për dymujorin nëntor-dhjetor 2020, respektivisht 2 000 (dy mijë) lekë për çdo muaj.
Ekspertët e llogarisin këtë paketë diku tek 1.5 milionë dollarë në total.
Ndërkaq, ministrja Anila Denaj, në një nga raportimet e saj për projektbuxhetin vitit të ardhshëm, deklaroi se biznesi ka mundësi të përfitojë nga Fondi i Garancisë Sovrane paketa e dytë, i cili qëndron i hapur në 10 banka të nivelit të dytë. Në faqen zyrtare jepen të përditësuara të dhënat e këtij fondi. Sipas tabelës, deri tani kanë përfituar 40 biznese në vlerë totale 0.84 miliard lekë.
Maqedonia
Në të njëjtën ditë, në 4 nëntor, miratohej Pakoja e katërt ekonomike e Maqedonisë, e cila është 350 milionë euro. Këtë e ka konfirmuar ministri Besimi. Ajo përfshin pensionistët të cilët kanë pensione nën 15.000 denarë, të papunët, kërkuesit joaktiv të punës dhe për prindërit e vetmuar. Do të subvencionohen sektorët e goditur të ekonomisë si gastronomia, hoteleria, guidat, zejataria, lokalet e dasmave, etj.
Vihet re se mbështetja dhe ndihma drejtohen tek qytetarët më të goditur. Qeveria nëpërmjet një komunikate informoi se, pakoja e katërt e masave ekonomike përfshin mbështetje për pagesë të pagave për tremujorin e fundit të vitit, kartela pagesash për disa kategori të qytetarëve, grante për sektorët më të goditur, spektër i gjerë për lirimin ose lehtësimin e disa pagesave parafikskale, rritjen e periudhës së pagimit të kredive pa interes nga COVID-19 dhe shtyrjen e pagesës së kredive nga kompanitë. Jo vetëm kaq, por qeveria e Maqedonisë ka parashikuar edhe skenarin e një mbylljeje të plotë të ekonomisë.
“70 milionë euro janë për mbështetje financiare për pagesën e pagave për punonjësit në sektorin privat, 27 milionë euro për kartelat e pagesave vendore për kategoritë e prekura nga Covid-19, për mbështetjen e prodhuesve, përpunuesve dhe eksportuesve të rrushit, verës dhe verës në shishe, 6.7 milionë euro, për mbështetjen e aktivitetit guida turistik, 160.000 euro, për kthimin e taksës turistike për vitin 2019, për qëndrime të realizuara gjatë natës, 2 milionë euro, për blerjet gjatë fundjavës pa TVSH, 17 milion euro, për skemën e garancës shtetërore dhe garancës doganore përmes Bankës së Zhvillimit,13 milionë euro dhe grante për agjencitë e udhëtimit, terrenet e lojërave dhe restorantet për dasma 5.5 milionë euro”, tha ministri i Financave, Fatmir Besimi.
Nga ky krahasim nuk mund të mos e kuptosh se përse Komisioni Evropian kërkon t'a ndajë procesin e integrimit në BE të Maqedonisë nga ai i Shqipërisë. Shpejtësitë e ecjes janë shumë të ndryshme.
/TPZ.al/