TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjenerallejtënant Arben Kingji, mori pjesë në takimin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, në nivelin e Shefave të Shtabeve, zhvilluar më 18 dhe 19 shtator në Kopenhagen të Danimarkës.
Takimi u drejtua nga Kryetari i Komitetit Ushtarak, Admirali Giuseppe Cavo Dragone. Në takim morën pjesë pjesë gjithashtu Komandanti Suprem i Forcave Aleate në Evropë (SACEUR), Gjenerali Alexus G. Grynkewich dhe Komandanti Suprem i Aleatëve për Transformimin (SACT), Admirali Pierre Vandier.
Udhëheqja e lartë ushtarake e NATO-s shqyrtoi së bashku hapat vijues pas Samitit të NATO-s në Ankara, veçanërisht forcimin e mëtejshëm të parandalimit dhe mbrojtjes kolektive të Aleancës, inovacionin dhe teknologjinë, si dhe mbështetjen për Ukrainën.
Në fjalën e tij, gjenerallejtënant Arben Kingji vlerësoi punën e ndërmarrë nga Aleanca për përmirësimin e Planeve Rajonale, operacionalizimin e autoriteteve për Mbrojtjen Ajrore dhe Raketore të Integruar (IAMD) si dhe avancimin e zbatimit të kërkesave të DDA-së.
“Forcat e Armatosura të Shqipërisë mbeten të angazhuara për t’i mbështetur fuqimisht këto përpjekje. Si një instrument thelbësor për rritjen e gatishmërisë dhe ndërveprueshmërisë, Stërvitjet dhe Trajnimet po marrin gjithnjë e më shumë rëndësi në përpjekjet tona për gatishmëri, duke garantuar njëkohësisht ndërveprueshmërinë e pajisjeve dhe procedurave”, theksoi ai.
Në vijim të sesioneve të punimeve të konferencës, gjatë fjalës së tij, gjeneral Kingji theksoi angazhimin e Shqipërisë për përmbushjen e objektivave të kapaciteteve të NATO-s, rritjen e gatishmërisë dhe ndërveprueshmërisë së Forcave të Armatosura, si dhe modernizimin e kapaciteteve dhe infrastrukturës ushtarake.
Përpjekjet për modernizim janë të përqendruara në përmbushjen e Objektivave të Kapaciteteve të NATO-s, ndërsa personeli mbetet prioriteti ynë kryesor, me theks të veçantë te cilësia, kompetenca, lidershipi dhe aftësia për t’i shndërruar kapacitetet e reja në efekt operacional.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua zhvillimit të infrastrukturës së Mbështetjes së Vendit Pritës (HNS), në mbështetje të Zonës së Përgjegjësisë së SACEUR-it. Shqipëria pritet të bashkëorganizojë vitin e ardhshëm stërvitjen “Steadfast Dart 27”, ndërsa këto përgatitje po koordinohen me strukturat përkatëse të NATO-s.
Në takim, Shqipëria konfirmoi gjithashtu angazhimin e saj për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Gjeneral Kingji deklaroi mbështetjen për misionin e KFOR-it në Kosovë, duke nënvizuar vijimin e kontributit tonë me trupa, kapacitete dhe mbështetje për pritjen, lëvizjen dhe dislokimin e forcave.
Shqipëria shprehu gjithashtu mbështetjen për përpjekjet e NATO-s në mbështetje të Ukrainës dhe për forcimin e sigurisë në krahun lindor të Aleancës.
Në këtë takim u zgjodh dhe kryetari i ri i Komitetit Ushtarak, Shefi i Shtabit i Forcave të Armatosura Gjermane, gjeneral Carsten Breuer, i cili do të pasojë Admiral Giuseppe Cavo Dragone.
Kryetari i Komitetit Ushtarak është oficeri më i lartë ushtarak i NATO-s dhe shërben si këshilltari kryesor ushtarak i Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës.
Ai drejton Komitetin Ushtarak dhe përcjell këshillimin ushtarak të bazuar në konsensus nga Shefat e Mbrojtjes te strukturat politike të NATO-s.