AKTUALITET, 19 September 2026, 15:33

Moody’s jep sinjal pozitiv për Shqipërinë/ Konfirmon “Ba3”, ekonomia pritet të rritet 3.6%

Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të kreditit Moody’s ka përmirësuar perspektivën për Shqipërinë nga “e qëndrueshme” në “pozitive”, ndërsa ka konfirmuar vlerësimin e vendit në nivelin “Ba3”. 

Sipas Moody’s, ndryshimi i perspektivës lidhet me forcimin e pozicionit fiskal dhe atij të jashtëm të Shqipërisë, si dhe me përshpejtimin e reformave strukturore në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. 

Agjencia parashikon që ekonomia shqiptare të rritet me 3.6% gjatë vitit 2026 dhe me 3.5% në vitin 2027. Në vlerësimin e saj, rritja ekonomike dhe deficitet e kontrolluara fiskale pritet të ndikojnë edhe në uljen graduale të borxhit publik. 

Moody’s parashikon që borxhi i qeverisjes së përgjithshme të zbresë nga 52.9% e PBB-së në fund të vitit 2025, në rreth 50.2% në vitin 2027. 

Në raport theksohet gjithashtu forcimi i pozicionit të jashtëm të vendit, rritja e investimeve të huaja direkte dhe shtimi i rezervave valutore, të cilat në qershor 2026 arritën në rreth 7.9 miliardë euro.