AKTUALITET, 19 September 2026, 22:15

Përfundon protesta e 112-të para Kryeministrisë, protestuesit paralajmërojnë rikthimin: Nesër më shumë

Qytetarët u mblodhën sërish në bulevardin përpara Kryeministrisë, në ditën e 112-të të protestës, duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama dhe të qeverisë së tij.

Sikurse në ditët e mëparshme, protestuesit u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, përpara godinës së Kryeministrisë, ku mbajtën fjalime.

Gjatë protestës, pjesëmarrësit shprehën qëndrimet e tyre lidhur me qeverisjen dhe korrupsionin, ndërsa aktivisti Mirjan Aliaj foli për situatën politike dhe për publikimin e përgjimeve të Arben Ahmetajt lidhur me KAYO-n.

“Është këmbanë alarmi dhe thirrje se ne duhet të rezistojmë se këto janë dëshmi se si kërkon ta shesë Shqipërisë. Ne pamë se Rama ka besuar sektorët strategjikë në një biznesmen kontrovers izraelit.”, u shpreh ai.

Aliaj bëri gjithashtu thirrje për pjesëmarrje në protestën e paralajmëruar më 8 tetor përpara Parlamentit, në lidhje me votimin e hartës së re territoriale.

“I bëjmë thirrje banorëve nga bashkitë që preken nga harta e re territoriale të jenë në Kuvendin e Republikës dhe mos t’i lejojnë këta deputetë që votojnë kundër vullnetit popullor të ndryshojnë hartën administrative të Shqipërisë”, shtoi ai.

Gjatë tubimit, një tjetër protestues tha se pjesëmarrësit do të vijojnë protestat deri në ndryshimin e sistemit politik dhe eliminimin e asaj që ai e cilësoi si mendësi korrupsioni.

“Ne do të vazhdojmë derisa shteti të mos ketë ngjyra partie dhe ky sistem të marrë fund. Që fuqia te jetë te njerëzit e thjeshtë. Derisa ai parlament të mos jetë më magazinë për kriminelët, por kuvendi që vendos për të mirën e shqiptarëve.

Do të vazhdojmë derisa mendësia e korrupsionit të mos ekzistojë në Shqipëri, derisa të gjithë ata që kanë vjedhur qoftë edhe një qindarkë të shkojnë në burg.”, tha i riu.

Gjatë protestës u përdorën edhe pankarta me mesazhe të ndryshme, përmes të cilave pjesëmarrësit shprehën qëndrimet e tyre dhe thanë se rezistenca dhe qëndresa e tyre do të sjellë “Shqipërinë e Re”.

Protesta e sotme u mbyll me thirrjet “Nesër më shumë”, “arrestoni Ramën” dhe “Shqipëria po bën revolucion”, ndërsa pjesëmarrësit paralajmëruan vijimin e tubimeve.