AKTUALITET, 10 Tetor 2018, 22:01

Shqipëria nuk di të shënojë, Jordania e quajti barazimin "fitore"

Shqipëria nuk di të shënojë, Jordania e quajti barazimin

Shqipëria është ndarë në një barazim 0-0 në takimin miqësor me Jordaninë të zhvilluar në “Elbasan Arena”. Skuadra e Kristian Panuçit nuk ka mundur që të gjejë rrugine  rrjetës, edhe pse duhet të thuhet se takimi u dominua nga kuqezinjtë, teksa jordanezët u panë të qeshur pas përfundimit të takimit, aq sa të dukej se ishin ata që e kishin fituar ndeshjen.

Një ndeshje që kishte një formacion eksperimental, kjo për faktin se në fushë zbritën ata futbollistë që kishin pasur më pak hapësira në sfidat e fundit apo u kishte munguar grumbullimi muajin e kaluar. Tekniku italian siç duket po tentonte ata futbollistë që mund të jenë të dobishëm në sfidën e fundjavës me Izraelin.

Fitorja mungoi, por kuqezinjtë krijuan jo pak raste, teksa kishin disa raste për shënim. Sfida nisi me një zëvendësim të detyruar, me Mihajn që la fushën e lojës pa u mbushur 10 minuta. Grezda shpërdoroi dy raste në pak sekonda, por kishte pretendime dhe për një 11-metërsh, i cili kishte vend për diskutim. Edhe miqtë provuan në disa raste, por nuk është se e vunë vërtetë në vështirësi portierin Berisha.

Në pjesën e dytë Panuçi kreu dhe pesë zëvendësime të tjera, por rezultati sërish nuk ndryshoi, pavarësisht ngacmimeve të Balajt. Më shumë golit iu afrua Uzuni, i cili pa që shtylla t'i mohonte golin në debutim. Tani e gjithë vëmendja është tek takimi me Izraelin.

Një fitore më shumë do të vlente për anën morale, megjithatë loja e zhvilluar sot jep besim se pas pak ditësh mund të marrim një rezultat pozitiv si një vit më parë në Izrael.

Miqësore, e mërkurë, 20:00

Stadiumi “Elbasan Arena”

Shqipëri 0-0 Jordani