SPORT, 30 September 2026, 20:35

Shkoi ta shihte Hysajn, por Maran e la në stol! A iu prish kuqeziut shansi për firmën në Serinë A?

Një situatë e pazakontë është regjistruar të martën në ndeshjen mes Shqipërisë dhe San Marinos. Me sa duket, drejtuesi i një klubi të njohur në Serinë A kishte shkuar në stadium për të parë nga afër Elseid Hysajn, por mbrojtësi kuqezi mbeti në pankinë gjatë gjithë ndeshjes, edhe pse trajneri Maran e kishte çuar në nxemje që në pjesën e parë.

Xhovani Sartori, drejtori teknik i Bolonjës, kishte shkuar për të ndjekur ndeshjen pikërisht për të parë Hysajn, pasi klubi italian e cilëson atë si një alternativë të mundshme për një transferim. Hysaj është lojtar i lirë dhe mund t’i bashkohet këtij ekipi në çdo moment, nëse palët gjejnë gjuhën e përbashkët.

Megjithatë, trajneri Maran e la rekordmenin e Kombëtares në stol gjatë gjithë ndeshjes, duke mos e aktivizuar. Kështu, Sartori humbi një mundësi të mirë për të parë nga afër gjendjen e tij fizike dhe sportive.

Ky vendim i trajnerit mund të ketë ndikuar drejtpërdrejt në vendimin e Bolonjës, pasi në Itali raportojnë se klubi po shqyrton edhe mundësinë për të afruar Mateo Darmian, i cili gjithashtu është pa ekip.

Tashmë mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë në ditët në vijim, por bëhet e ditur se Bolonja do të vendosë gjatë kësaj jave se cilin prej mbrojtësve do të vendosë nën kontratë dhe do ta bëjë pjesë të ekipit që drejtohet nga Rafaele Paladino.