SPORT, 26 September 2026, 22:59

Dramë në “Wembley”! Spanja përmbys Anglinë 3-2, penalltia e humbur nga Kane rezulton vendimtare

Penalltia e humbur nga Harry Kane rezultoi vendimtare, teksa Spanja mposhti Anglinë 3-2 në Grupin A3 të UEFA Nations League, duke zgjatur ecurinë e kampionëve të botës pa humbje brenda 90 minutave në një rekord të paprecedentë prej 39 ndeshjesh.

Dueli në “Wembley” ishte spektakolar dhe dhuroi plot pesë gola. Spanja e nisi furishëm sfidën dhe kaloi në avantazh që në minutën e dytë, kur Lamine Yamal përfitoi nga një gafë në mbrojtjen angleze dhe nuk gaboi përballë portierit.

Anglia reagoi dhe përmbysi rezultatin brenda pak minutash. Në minutën e 36-të, Gordon realizoi golin e barazimit pas një kundërsulmi vrastar, ndërsa katër minuta më vonë Harry Kane shënoi me kokë, me goditjen që u devijua nga Cucurella dhe përfundoi në rrjetë.

Spanja pati disa mundësi për të shënuar gjatë pjesës së parë. Ferran Torres gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 9-të, por goli u anulua për pozicion jashtë loje. Më pas, Torres shpërdoroi edhe dy raste të tjera të arta, duke mos arritur të mposhtë portierin anglez.

Në fillimin e pjesës së dytë, Anglia iu afrua golit të tretë, ndërsa tentativa me kokë e Quansah përfundoi mbi traversë.

Në minutën e 52-të, Rodri ndërhyri në mënyrë të gabuar ndaj Bellinghamit. Pas konsultimit me VAR-in, gjyqtari akordoi penallti për Anglinë.

Harry Kane mori përsipër ekzekutimin në minutën e 54-t, por kapiteni anglez dështoi nga pika e bardhë. Goditja e tij u përplas në traversë, duke humbur një mundësi të artë për të çuar Anglinë në avantazhin 3-1.

Spanja nuk u dorëzua dhe vetëm pak minuta më vonë filloi përmbysjen. Në minutën e 60-të, Baena, i sapofutur nga stoli, realizoi një gol të bukur nga hyrja e zonës, duke rikthyer baraspeshën në “Wembley”.

Iberikët vazhduan të sulmonin dhe në minutën e 74-t realizuan edhe golin e tretë. Oyarzabal u shfaq në momentin e duhur dhe përmbysi rezultatin, duke i dhënë Spanjës fitoren 3-2.

Në minutën e 59-të, Yamal kishte qenë pranë golit të dytë, por gjuajtja e tij kaloi ngjitur me shtyllën.

Spanja ka arritur në finale në secilin prej tre edicioneve të fundit të kësaj gare dhe ky rezultat pritet të forcojë besimin e saj se mund të fitojë të gjithë trofetë e mëdhenj ndërkombëtarë në të njëjtën kohë.

Në krahun tjetër, Anglia ka fituar vetëm një nga 10 ndeshjet e fundit në Ligën A të Nations League, me 3 barazime dhe 6 humbje. Megjithatë, trajneri Thomas Tuchel mund të marrë disa elementë pozitivë nga paraqitja e skuadrës së tij përballë një kundërshtari me kaq shumë përvojë.