TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Shqipëria ka mposhtur 2-0 Bjellorusinë në “Air Albania”, në ndeshjen e parë të Ligës së Kombeve. Kuqezinjtë zhvilluan një sfidë të kontrolluar dhe e zgjidhën takimin me nga një gol në secilën pjesë.
Kristjan Asllani dhe Ernest Muçi ishin autorët e golave, ndërsa Shqipëria pati edhe disa raste të tjera për të thelluar avantazhin.
Ndeshja nisi me ritëm, me Shqipërinë që provoi që në minutat e para përmes Arbër Hoxhës dhe më pas Rey Manajt. Në minutën e 8-të, edhe Bjellorusia iu afrua portës së Etrit Berishës, por portieri kuqezi reagoi mirë dhe ndali tentativën e miqve.
Pas një faze ku të dyja skuadrat u treguan të kujdesshme, Shqipëria nisi të fitojë terren. Në minutën e 16-të, Muçi krosoi drejt Seferit, por goditja me kokë e sulmuesit u ndal nga mbrojtja bjelloruse.
Momenti që ndryshoi ndeshjen erdhi në minutën e 32-të. Kontsevoi shkaktoi penallti pas ndërhyrjes ndaj Gjimshitit dhe, pas konfirmimit nga VAR-i, Kristjan Asllani mori përsipër ekzekutimin. Mesfushori nuk gaboi dhe në minutën e 34-t shënoi për 1-0.
Kuqezinjtë vijuan të kërkonin golin e dytë dhe patën një tjetër mundësi të artë me Manajn në minutën e 38-të, por sulmuesi nuk arriti ta dërgonte topin në rrjetë. Në anën tjetër, Barkoëski provoi me kokë, por Berisha kontrolloi pa vështirësi.
Në fundin e pjesës së parë, Shqipëria goditi sërish. Në minutat shtesë, një aksion i bukur u finalizua nga Ernest Muçi, i cili shfrytëzoi asistin spektakolar të Hysajt dhe dyfishoi avantazhin. 2-0 për Shqipërinë.
Pjesa e dytë nisi me ndryshime te Bjellorusia, ndërsa Shqipëria vazhdoi të ishte skuadra më kërkuese. Në minutën e 56-të, Seferi pati mundësinë për të shënuar edhe golin e tretë, por nuk arriti të shfrytëzonte një rast të mirë.
Një minutë më vonë, Bjellorusia iu afrua golit me Pechenin, por tentativa e tij përfundoi jashtë. Shqipëria vazhdoi të krijonte raste dhe në minutën e 64-t, Asllani krosoi, ndërsa Manaj goditi shtyllën, duke qenë shumë pranë golit të tretë.
Në minutat në vijim, trajneri kuqezi kreu zëvendësime. Uzuni hyri në vend të Seferit, ndërsa më pas Daku dhe Mehmeti zëvendësuan Manajn dhe Muçin.
Shqipëria vijoi të kërkonte golin e tretë. Në minutën e 67-të, Muçi provoi brenda zonës, por topi përfundoi jashtë. Pak më vonë, Hoxha tentoi një supergol nga distanca, ndërsa edhe Pilo provoi nga larg, pa gjetur kuadratin.
Në minutën e 77-të ishte radha e Asllanit për të provuar nga distanca. Mesfushori, i cili kishte hapur serinë e golave me penallti, kërkoi një tjetër gol spektakolar, por goditja e tij preku rrjetën e jashtme.
Në fund, Shqipëria menaxhoi avantazhin dhe ruajti rezultatin 2-0, duke marrë një fitore të rëndësishme përballë Bjellorusisë.
Asllani nga pika e bardhë dhe Muçi me një finalizim të bukur vulosën suksesin kuqezi në “Air Albania”. Shqipëria tregoi efikasitet dhe kontroll gjatë sfidës, ndërsa pati edhe mundësi për ta thelluar më tej rezultatin.
Me këtë fitore, kuqezinjtë marrin kryesimin e grupit së bashku me Finlandën, e cila shkatërroi San Marinon me shifrat 7-0.