BOTA, 16 July 2026, 15:43

Shkarkimi i ministrit të Mbrojtjes nga Zelensky nxit protesta në Ukrainë. Ushtria dhe shoqëria civile kundër vendimit

Shkarkimi i papritur i Ministrit të Mbrojtjes të Ukrainës, Mykhailo Fedorov, nga Presidenti Volodymyr Zelensky ka shkaktuar protesta në disa qytete të vendit dhe pakënaqësi mes pjesëve të ushtrisë, shoqërisë civile dhe analistëve politikë. Sipas BBC, në Kiev, dhjetëra qytetarë, kryesisht të rinj, dolën në protestë duke mbajtur pankarta me mesazhe si “Larg duart nga Fedorov” dhe “Ndalo sabotimin e fitores!”, ndërsa brohorisnin “Turp!”. Protestuesit kundërshtuan vendimin për largimin e një zyrtari që konsiderohet nga mbështetësit e tij si një nga figurat kryesore të modernizimit të ushtrisë ukrainase. Zelensky nuk ka dhënë ende një shpjegim të detajuar për arsyet e shkarkimit, por vendimi ka nxitur debate të forta në Ukrainë. Kritikët e shohin atë si një goditje ndaj reformave të nisura në Ministrinë e Mbrojtjes, ndërsa mbështetësit e Fedorov kërkojnë që qeveria të sqarojë motivet e ndryshimit.

Fedorov, 35 vjeç, u emërua në krye të Ministrisë së Mbrojtjes në janar dhe gjatë mandatit të tij u përqendrua te teknologjia ushtarake, lufta me dronë, digjitalizimi i proceseve dhe lufta kundër korrupsionit në strukturat e mbrojtjes.

Ai më herët kishte drejtuar Ministrinë e Transformimit Dixhital dhe ishte një nga figurat kryesore pas krijimit të iniciativave teknologjike të Ukrainës gjatë luftës me Rusinë, përfshirë “Ushtrinë e IT-së” dhe programin e mbledhjes së fondeve për dronët ushtarakë. Pas shkarkimit, Fedorov deklaroi se kishte pasur mosmarrëveshje me drejtuesit më të lartë ushtarakë, veçanërisht me Komandantin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës, Oleksandr Syrskyi. Ai tha se kishte propozuar ndryshime në udhëheqjen ushtarake, por disa prej iniciativave të tij ishin bllokuar. “Kur presidenti tha se nuk kishte plan ta zëvendësonte Syrskyin, unë thashë se do të mësoja të punoja me të”, deklaroi Fedorov, duke shtuar se disa reforma nuk kishin marrë mbështetjen e nevojshme.

Sipas tij, Zelensky i kishte ofruar një rol si këshilltar në ekipin presidencial, por ai e refuzoi propozimin. Fedorov tha se nuk dëshironte konflikt me presidentin dhe se besonte që situata do të zgjidhej. Ndërkohë, disa ushtarakë dhe figura publike kanë kritikuar hapur vendimin. Një ushtar ukrainas, i cituar nga BBC, e cilësoi shkarkimin si “gabimin më të keq të Zelenskyt gjatë gjithë presidencës së tij”, duke thënë se shumë ushtarë kishin besim te qasja e Fedorov.

Mbështetësit e tij argumentojnë se gjatë mandatit të shkurtër ai solli një qasje më moderne në menaxhimin e mbrojtjes, duke përdorur analiza të të dhënave, teknologji të reja dhe sisteme të reja për koordinimin e operacioneve ushtarake.

Si pjesë e riorganizimit qeveritar, parlamenti ukrainas pritet të votojë për emërimin e Ihor Klymenkos, aktualisht ministër i Brendshëm, si pasues të Fedorov në Ministrinë e Mbrojtjes. Ndërkohë, Serhiy Koretsky, drejtues i kompanisë shtetërore të naftës dhe gazit, është emëruar kryeministër pas dorëheqjes së Yuliia Svyrydenkos. Largimi i Fedorov vjen në një periudhë të ndjeshme për Ukrainën, ndërsa vendi vazhdon luftën kundër Rusisë dhe përballet me sfida të mëdha në front, në furnizimet ushtarake dhe në reformat e brendshme.