BOTA, 16 July 2026, 09:27

Konflikti/ SHBA nis sulme të reja ndaj Iranit, Trump paralajmëron Teheranin të sillet më mirë

SHBA-të thanë se kishin nisur një valë të re sulmesh kundër Iranit të mërkurën, ndërsa Presidenti Donald Trump e paralajmëroi Teheranin se “duhet të sillet më mirë”.

Ushtria amerikane tha se “kapacitetet ushtarake iraniane të përdorura për të kërcënuar anijet” që lëvizin nëpër Ngushticën e Hormuzit ishin shënjestruar. Mbrojtja ajrore u dëgjua gjithashtu në kryeqytetin Teheran, sipas mediave shtetërore.

Ndërkohë, Irani tha se kishte goditur objektiva ushtarake amerikane në rajon, përfshirë Bahreinin dhe Kuvajtin, ndërsa dita e pestë e armiqësive të përtërira e tensionoi marrëveshjen e tyre paraprake për t’i dhënë fund luftës.

Negociatori kryesor i Iranit, Mohammad Bagher Ghalibaf, i tha medias shtetërore se Teherani nuk kishte “asnjë arsye” të zbatonte marrëveshjen nëse nuk përfitonte prej saj.

Trump kishte kërcënuar të martën vonë se do të sulmonte urat dhe termocentralet nëse Irani nuk do të kthehej në bisedime javën e ardhshme.

I pyetur nga gazetarët të mërkurën vonë nëse do të jepte një afat kohor përpara se ta bënte këtë, ai u përgjigj: “Nuk më pëlqen të jap afate, por ata pak a shumë e dinë, e dinë historinë… sillen më mirë”.

Më vonë ai u tha delegatëve në një samit të mbrojtjes se Irani “nuk ishte i lumtur tani”.

“Ata duan shumë të bien dakord. Nuk u pëlqen ajo që po bëjmë, Do ta zbulojmë nëse duam të biem dakord me ta apo thjesht ta përfundojmë.”, tha ai.