BOTA, 15 July 2026, 17:14

Trump i bën thirrje Izraelit të tërhiqet nga Libani jugor: Fokusin duhet ta kemi te Irani

trump netanyahu

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se dëshiron që Izraeli të tërheqë forcat e tij nga Libani jugor, duke argumentuar se një hap i tillë do të ndihmonte në uljen e tensioneve në rajon dhe do t’i lejonte Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin të përqendrohen te sfida kryesore, që sipas tij mbetet Irani.

Në një intervistë për Fox News, Trump u shpreh se marrëdhëniet mes SHBA-së, Libanit dhe Izraelit janë të mira, por vlerësoi se tërheqja e trupave izraelite do të krijonte kushte për një qetësim të situatës.

“Do të ishte mirë që Izraeli të tërhiqej. Mendoj se atëherë gjërat do të qetësoheshin disi, sepse duhet ta përqendrojmë energjinë tonë te çështja më e madhe. Dhe çështja më e madhe është Irani”, tha Trump.

Presidenti amerikan sugjeroi gjithashtu që presidenti i ri i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, të ndërmarrë veprime kundër Hezbollahut, duke vlerësuar se ai mund ta përballonte këtë çështje në mënyrë më të kufizuar dhe me më pak pasoja sesa operacionet ushtarake izraelite.

“Ai mund ta kishte marrë kontrollin e Hezbollahut dhe ta kishte bërë ndryshe. Nuk do t’i kishte shembur ndërtesat. E urreja të shihja ndërtesat të shembeshin”, deklaroi Trump, duke iu referuar al-Sharaa, i cili më parë drejtonte një organizatë siriane të lidhur me al-Kaedën.

Trump kujtoi gjithashtu se vetëm javën e kaluar Shtetet e Bashkuara hoqën Sirinë nga lista e vendeve që sponsorizojnë terrorizmin, ku kishte qenë e përfshirë që nga viti 1979.

“Po, mendoj se ai do ta bënte në mënyrë më të saktë. Dhe mund t’ju them se besoj se ai do të donte ta bënte këtë”, përfundoi presidenti amerikan.