AKTUALITET, 17 Gusht 2018, 22:45

Shehi: Triumf me vlera të dyfishta ndaj një kundërshtari direkt

Shehi: Triumf me vlera të dyfishta ndaj një kundërshtari direkt

Pasi e nisi karrierën si trajner me një trofe, duke fituar Superkupën e Shqipërisë ndaj Laçit, Orges Shehi debutoi me fitore edhe në Kategorinë Superiore.

Skënderbeu i tij arriti të fitojë në “frymën e fundit” ndaj Partizanit, falë një penalltie të fituar nga Bregu dhe të dërguar në rrjetë nga Muzaka.

Në përfundim të takimit, Orges Shehi foli për emisionin “Gol pas Goli”, në SuperSport, duke treguar emocionet e debutimit dhe situatën në kampin korçar.

"Sigurisht që është një fitore me vlera, pasi luanim ndaj një kundërshtari direkt dhe triumfi mori vlera të dyfishta. Natyrisht që kishim vështirësi, pasi nuk kemi arritur maksimumin e përgatitjeve fizike, por sërish dua të komplimentoj skuadrën që tregoi vendosmëri dhe dëshirë për të fituar.

E kishim studiuar Partizanin dhe ishim të përgatitur për mënyrat e tij të lojës dhe kishim marrë masat për t’u kundërpërgjigjur në kohë dhe në mënyrën e duhur. Sa i përket alternativave, ka pasur edhe oshilacione sa i përket federimit, me dy lojtarë që janë federuar vetëm sot. Shpresoj që të na vijë edhe ndonjë përforcim, aty ku realisht kemi nevojë", tha Shehi.