AKTUALITET, 5 Qershor 2018, 19:24

Sezoni turistik, Xhafaj paralajmëron: Kontrolle të forta ndaj motorëve të ujit, punonjës policie shtesë

Sezoni turistik, Xhafaj paralajmëron: Kontrolle të forta ndaj
Policia e Shtetit këtë sezon turistik do të jetë në gatishmëri për të garantuar një sezon turistik sa më të mirë, duke ofruar për pushuesit e huaj dhe ata vendas pushime të sigurta dhe më shumë rend.

Lajmi u bë i ditur nga ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj në hapjen e sezonit turistik të qytetit të Vlorës, duke theksuar disa nga masat që kjo ministri do të ndërmarrë për sezon të sigurt turistik.

Ministri u ndalë të një nga problemet shqetësuese për pushuesit siç janë motorët e ujit të, për të cilat Xhafaj bëri me dije se do të merren masa të repta, si për to por edhe për zhurmat e krijuara pas orarit të lejuar.

“Kemi forcuar masat për një kontroll shumë të fortë ndaj motorëve të ujit, deri në sekuestrimin e tyre, duke marrë shkas nga viti i kaluar kur ka pasur edhe pushues që kanë humbur jetën. Do të ketë masa shumë më të forta lidhur me mjedisin në zonat turistike lidhur me zhurmat. Do të ketë edhe lehtësi të lëvizjes në pikat kufitare për shqiptarët, kosovarët, por edhe për turistët e huaj. Do të ketë një kontakt edhe me operatorët turistë për të marrë masa për lehtësira. Nuk zgjidhet gjithçka me policisë, por secili duhet të bëjë detyrat e tij”, tha Xhafaj.

Për të garantuar një sezon të qetë turistik, ministri Xhafaj bëri me dije se do të aktivizohen punonjës shtesë të policisë dhe do të ndërtohen nënstacionet provizore policie.