AKTUALITET, 29 Shtator 2021, 10:13

Sëmuret Aleksandër Vuçiç, anulon të gjitha takimet

Sëmuret Aleksandër Vuçiç, anulon të gjitha takimet

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç anuloi disa takime që kishte dje dhe sot për shkak të shëndetit.

Lajmi është konfirmuar nga këshilltarja për media e presidentit, Suzana Vasiljevic, duke thënë se shumë shpejt ai do të kthehet për tu takuar me Presidenten e Komisionit Evropian dhe për tu marrë me Kosovën.

“Shëndeti i presidentit nuk ishte në rregull sot. Por, nesër mbrëma Ursula von der Layen arrin dhe pasnesër ne jemi në Nish me të, duke shënuar fillimin e punimeve në korridorin e ri hekurudhor, pas kësaj shkojmë në Dubai dhe problemet e përditshme në Kosovë,” ka thënë ajo për Euronews Serbia.

“Kështu që ne vendosëm, domethënë, mjekët sugjeruan që ai të bëjë një pushim”, shtoi këshilltarja.

E pyetur nëse publiku duhet të shqetësohet, ajo u përgjigj negativisht.

“Shpresoj që gjithçka do të jetë mirë, është vetëm çështje lodhjeje,” tha këshilltarja e presidentit.

Sipas Vasiljeviç, takimet e planifikuara për të martën me ambasadorët e Rusisë dhe Kinës janë shtyrë.

Fjalimi i shpallur i Vuçiçit në konferencën dy-ditore “Ballkani Perëndimor, një rajon, një treg – një hap drejt tregut të përbashkët të BE -së” në Novi Sad u anulua gjithashtu.