AKTUALITET, 15 Qershor 2021, 15:49

Samiti/ Ish-Ambasadori i Shqipërisë në NATO: SHBA-të do ndihmojnë Shqipërinë për t’u anëtarësuar në BE!

Samiti/ Ish-Ambasadori i Shqipërisë në NATO: SHBA-të do

I ftuar ditën e sotme në rubrikën “Opinion”, në “News 24”, ishte ish-Ambasadori i Shqipërisë në NATO, Leonard Demi.

Ky i fundit, tregoi rëndësinë që kanë tre tematikat më të rëndësishme aktualisht në rang botëror: 1. Samiti i NATO-s (Që përfundoi më 14 qershor). 2. Samiti i G7 (U mbyll më 13 qershor) dhe takimi Joe Bien – Vladimir Putin (Pritet të zhvillohet ditën e nesërme në Gjenevë, 16 qershor.

Ish-Ambasadori Demi tha se nëpërmjet samitit të NATO-s, SHBA dhe shtetet e tjera anëtare, duan të demonstrojnë forcën e tyre, ndërsa shtoi, se kanë evidentuar si kërcënim të përbashkët, ushtarak, politik dhe ekonomik, Kinën.

Demi tha ndër të tjera, se SHBA dhe presidenti i saj, Joe Biden kanë një qasje tejet pozitive për Shqipërinë, e për këtë arsye, shtoi se SHBA, do të luajë një rol të rëndësishëm në anëtarësimin e Shqipërisë në familjen e madhe Evropiane.

"Ky është një samit i rëndësishëm. Kthimi i SHBA-ve me angazhim të plotë, për të respektuar traktatin e Uashingtonit, e bën këtë samit historik. Mbrojtja Evropiane pa NATO-n nuk ekziston dhe pa evropianët nuk mund të kemi një NATO të fortë. Deklaratat që ka bërë Sekretari i Përgjithshëm dhe Presidenti i SHBA, ata janë bashkuar plotësisht në samit. Ngritën lartë nenin pesë të traktatit që është themeluar NATO. Në këtë nen, vlen dhe ajo marrëveshja, që nëse sulmohet një anëtar i NATO-s, përfshihen edhe shtetet e tjera. Gjatë 4 viteve të kaluara, pra nga viti 2016 deri më sot, SHBA-të, nuk e deklaruan këtë gjë dhe krijuan disa qëndrime të dyshimta në aleancë", tha Demi.