TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Deputeti i PD-së Ervin Salianji i është përgjigjur deklaratave të kryeministrit Edi Rama që bëri dje nga Libofsha e Fierit. Përmes një deklarate për mediat, Salianji teksa kërkoi arrestimin e kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dakon, tha se kryeministri Rama e mbron.
“Në fushatë nuk pyetet për biografinë dhe për dëshminë e penalitetit.” tha Rama dje, ndërkohë që Salianji i është kundërpërgjigjur duke shtuar se “Dako është simbolit të bashkëpunimit me krimin e organizuar në fushatë elektorale”, që sipas tij kryeministri i del në mbrojtje.
REAGIMI I SALIANJIT
Deklaratë e Partisë Demokratike, deputeti Ervin Salianji
Dosja 339, e cila i ka shfaqur publikut bashkëpunimin e qeverisë me bandat për të mbajtur pushtetin me çdo mjet, është dëshmia sesa larg Europës po na mban Edi Rama.
Dje, në Itali, zëvendëskryeministri Luigi di Maio, refuzoi të shkojë në një takim elektoral, sepse kandidati i tij kishte publikuar një foto me nipin e bosit të mafias, Provenzano, duke kërkuar nisjen e dialogut me familjet mafioze.
“Ky është një koncept shumë i rrezikshëm. Duke bërë një foto të tillë, po i jep mesazh bashkëpunues botës së krimit. Ato vota nuk i duam, i perbuzim! Shteti nuk mund të ketë afrimitet me këta persona”- u shpreh zëvendëskryeministri italian.
Po dje, pak orë më vonë, në Tiranë, kryeministri Edi Rama u tregoi shqiptarëve se bashkëpunimi me krimin e organizuar në fushatë elektorale është normalitet politik, që as nuk duhet të vihet në diskutim. “Në fushatë nuk pyetet për biografinë dhe për dëshminë e penalitetit.”, -tha kryeministri i Shqipërisë për t’i dalë në mbrojtje Vangjush Dakos, simbolit të bashkëpunimit me krimin e organizuar në fushatë elektorale.
Kontrasti është i qartë: në Itali është një qeveri që refuzon vota nga të afërmit e mafiozëve, në Shqipëri është një qeveri që drejton vendin me votat e mafiozëve dhe të krimit të organizuar.
Ky është thelbi pse vendi ynë refuzohet prej 5 vjetësh në familjen europiane!
Strategjia e Edi Ramës për ta shitur bashkëpunimin me krimin si normalitet politik synon të mpijë reagimin e shoqërisë, kërkon të imponojë pranimin e krimit si pjesë të shëndetshme të saj, për të asgjesuar demokracinë në vend.
* Vangjush Dako me bandën e Avdylajve dhe bandën e Durrësit.
* Taulant Balla me trafikantin e drogës mik të familjes,
* Arben Ndoka, Elvis Roshi Mark Frroku, Armando Prenga janë shembujt më flagrantë të strategjisë kriminale të Edi Ramës që shet si normë qytetarie bashkëpunimin me krimin më zgjedhje.
Shumica e shqiptarëve e refuzojnë këtë model, prandaj prokuroria duhet të avancojë me dosjen 339, të arrestojë Vangjush Dakon!
Për krimin e blerjes së votave në bashkëpunim me krimin nuk mund të ketë më falënderime për krimin! Shqiptarëve u duhet standardi italian i përbuzjes së votave që siguron krimi. Ky është thelbi pse vendi ynë refuzohet prej 5 vjetësh në familjen europiane!