AKTUALITET, 24 Nëntor 2018, 13:16

Arrestimi i Daniel Drobajt, deputetja e LSI: Sikur me të njëjtin zell të luftonin edhe krimin

Arrestimi i Daniel Drobajt, deputetja e LSI: Sikur me të njëjtin zell

Ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha ka reaguar pas arrestimit të 17-vjeçarit Daniel Drobaj, i cili dyshohet se plagosi me kapsollë efektiven e policisë, Ines Nuka.

Përmes një postimi në “Facebook” Gjosha shpreh keqardhje që Policia e Shtetit u mobilizua brenda natës për të kapur të riun, ndërkohë që nuk po bën të njëjtën gjë për krimin e organizuar.

Gjosha thotë se shteti duhet të bëj luftë pa kompromis ndaj krimit, dhe të tregojë të njëjtën arrogancë që po shfaq ndaj 600 familjeve që mbeten të pastrehë nga projekti i Unazës së Re.

Reagimi i Gjoshës:

Sa mirë do të ishte që shteti të ushtronte të njëjtin zell dhe pasion për luftën kundër krimit, siç e ushtron për të arrestuar protestuesit, qytetarët e thjeshtë të këtij vendi.

Ashtu me të njëjtin pasion që kërkonin të kapnin djalin 17 vjeçar të protestës, ku inati lexohej në sytë e policisë së shtetit! Ndoshta ky pasion vazhdon ende të ushtrohet brenda komisiarateve, ku këta qytetar mbahen të mbyllur.

Sa mirë do të ishte që shteti të bënte luftën e pa kompromis me krimin, ashtu me të njëjtën arrogancë që përdor me 600 familjet që do të mbeten pa strehë, në një nga zonat më të rëndësishme të Tiranës.

Ndjej keqardhje për qeverinë e vendit tim, për njerëzit që na drejtojnë dhe për lotët e qytetarëve të dëshpëruar, që sot janë më të pashpresë se kurrë! TPZ.AL