AKTUALITET, 11 Mars 2019, 20:21

Salianji: Lleshaj si Ponc Pilati, Skënderaj u largua para tri ditësh

Ish-deputeti demokrat, Ervin Salianji, thotë se drejtori i policisë së Tiranës, Kastriot Skënderaj, është larguar tri ditë më parë nga detyra dhe jo sot, ashtu siç u tha se ndodhi për shkak të incidenteve tek “Petro Nini”.

Në një status në “Facebook”, Salianji shkruan se ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, po lan duart si Ponc Pilati dhe deklaron se ai bashkë me kryeministrin po i përdorin në mënyrë të paligjshme policët dhe i flakin pastaj si limona të shtrydhur.

STATUSI I SALIANJIT

Lleshaj si Ponc Pilati!

Pasi i përdorin pa mëshirë kundër popullit të tyre, Rama dhe Lleshaj po largojnë drejtorët e policive në përpjekje për të pastruar imazhin e tyre si politikanët më të urryer!

Policia u përplas 6 orë më gra dhe fëmijë të pambrojtur në hall, me urdhër të Sandër Lleshajt, me dijeninë dhe me miratimin e tij dhe të kryeministrit. Tani është shumë vonë që të shfaqet i pafajshëm dhe të lajë duart si Ponc Pilati.

Presioni i opinionit publik po i bën të reagojnë në panik dhe të bëhen qesharakë. Policët e dinë se Drejtori i Tiranës është larguar tre ditë më parë nga detyra.

Rama dhe Lleshaj e kanë vulosur fatin e çdo polici në këtë shtet. Ata po i përdorin në mënyrë të paligjshme prej tyre dhe, në momentin kur prishin punë, do i flakin si limona të shtrydhur. Këtë ka bërë Rama me paraardhësit e tyre, këtë ka bërë edhe me gjyqtarët dhe prokurorët. Të gjithë të përdorur për pushtetin personal të Ramës!

Në 16 Mars të gjithë në këmbë për Shqipërinë!

Salianji Fb