AKTUALITET, 17 Korrik 2019, 13:50

Rrëzohen votimet moniste/ Gjykatat nuk u japin mandatin kandidatëve të PS në Durrës dhe Vorë

Rrëzohen votimet moniste/ Gjykatat nuk u japin mandatin kandidatëve


Disa javë pas votimeve moniste të mbajtura në Shqipëri, dy gjykata kanë rrëzuar kandidatët e Partisë Socialiste, përkatësisht në Durrës dhe Vorë, duke mos u konfirmuar mandatin.

Kandidatja e PS për Bashkinë Durrës, Valbona Sako, pasi ka fituar përballë kandidates së partisë Bindja Demokratike, ka bërë kërkesë në Gjykatë për konfirmimin e mandatit 4-vjeçar. Por kjo kërkesë nuk është pranuar nga Gjykata e Durrësit.

Sipas dokumentit zyrtar, Gjykata ka dhënë argumentimin se procesi nuk është i ligjshëm, pasi Bindja Demokratike është regjistruar jashtë afatit zyrtar, duke i bërë këto zgjedhje nul.

Ndërsa, Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, nuk i ka dhënë mandatin kandidatit të Partisë Socialiste për Bashkinë e Vorës, Agim Kajmakut.

Gjykata ka shpallur moskompetencën për të dhënë një vendim mbi ligjshmërinë e mandatit të Kajmakut për të drejtuar Bashkinë e Vorës.

Në vendimin e trupës gjykuese, arsyetohet se kjo kompetencë i kalohet Gjykatës Administrative.

Nuk dihet nëse këto dy vendime do të pasohen nga vendime të tjera për qytetet e tjera, ku ka patur kandidatë nga Bindja Demokratike.

Këto dy vendime, shënojnë një zhvillim të ri, që mund të ketë impakt në krizën politike.