AKTUALITET, 5 November 2026, 12:19

'Rrëzohen' dy kërkesat e ish Presidentit/ Meta: Më survejohen me kamera takimet me avokatin! GJKKO: Do t'ia përcjellim ‘Burgjeve’

'Rrëzohen' dy kërkesat e ish Presidentit/ Meta: Më

Gjykata e Posaçme rrëzoi dy kërkesat e presidentit të Partisë së Lirisë Ilir Meta për lejimin e regjistrimit dhe transmetimit live të seancave gjyqësore dhe daljes nga kafazi i xhamit. Avokati dhe vetë Ilir Meta ngritën një shqetësim të rëndë, sa i takon takimeve mes tyre në paraburgim.

“Të gjitha takimet e mia me të mbrojturin prej meje në paraburgim survejohen nga kamerat që regjistrojnë”, pretendoi Bujar Musta, shqetësim për të cilin trupi gjykues tha se do ia përcillte burgjeve. 

Për kamerat në seancë, Erion Bani tha se është shprehur njëherë gjykata, duke relatuar se gjyqi është i hapur dhe publik dhe se gazetarët janë të pranishëm. 

Lidhur me kërkesën për daljen nga kafazi, Musta tha se në dy seancat e Apelit, qëndrimi i Metës krahë mbrojtjes nuk paraqiti asnjë problem, madje shtoi ai, prokurorët ishin të pranishëm dhe mund të shprehen.

Arben Kraja tha se për këtë pikë e lë në vlerësim të gjykatës, dhe sa i takon transmetimit të seancave u shpreh kundër.Seanca vijon me parashtrimet e Monika Kryemadhit per akuzat.