AKTUALITET, 5 November 2026, 11:04

Detaje/ Shpërthimi i bombolës së gazit që shkatërroi disa apartamente dhe la pas dy viktima, ekspertët: Pallati duhet shembur, tejet i rrezikshëm për banim

Detaje/ Shpërthimi i bombolës së gazit që shkatërroi

Viktima Hamit Ibra

Kanë mbërritur ekspertët e institutit të ndërtimit në pallatin në Elbasan, i cili një ditë më parë u dëmtua rëndë pas shpërthimit të një bombole gazi në një prej apartamenteve.

Ekspertët kanë deklaruar se ky pallati duhet të shembet pasi është tejet i rrezikshëm dhe i pabanueshëm.

Kujtojmë se pas shpërthimit kati i katërt u shemb dhe ra në katin e tretë, por duke shkaktuar edhe shumë dëme të tjera në pjesë të ndryshme të ndërtesës.

Për fat të keq nga ky shpërthim, kanë humbur jetën dy banorë të këtij pallati, ndërsa disa të tjerë mbetën të asfiksuar.

 Media ka siguruar foton e 69-vjeçarit Hamit Ibra, i cili u gjet i pajetë nën rrënojat e pallatit të dëmtuar nga shpërthimi i fuqishëm në lagjen “Beqir Dardha” në Elbasan.

Trupi i tij u nxor pas më shumë se 17 orësh kërkimesh të pandërprera nga ekipet e kërkim-shpëtimit, të cilat punuan gjatë gjithë natës në kushte të vështira, për shkak të dëmtimeve të rënda që kishte pësuar ndërtesa.

Hamit Ibra rezultonte i zhdukur që prej momentit të shpërthimit. Fatkeqësisht, kërkimet përfunduan me gjetjen e trupit të tij të pajetë.

Ai është viktima e dytë e kësaj ngjarjeje tragjike, pasi më herët humbi jetën edhe 82-vjeçarja Hatixhe Berisha.

Ndërkohë, autoritetet vijojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e sakta të shpërthimit, si dhe për të vlerësuar dëmet e shkaktuara në strukturën e pallatit.