AKTUALITET, 5 November 2026, 10:28

Penalizimet/ Bllokuan rrugën gjatë protestës, gjobë me nga 50 euro për 31 protestues të tjerë! Nën hetim Dritan Goxhaj dhe Edison Lika

Penalizimet/ Bllokuan rrugën gjatë protestës, gjobë me nga

Policia ka gjobitur me 50 euro 31 protestues të tjerë të cilët bllokuan qarkullimin gjatë protestës mbrëmjen e djeshme, si edhe u përplasën fizikisht me policinë.

Nën hetim në gjendje të lirë janë vënë Dritan Goxhaj dhe Edison Lika, të cilët kundërshtuan punonjësit e policisë dhe nuk i vunë në dispozicion dokumentet e identifikimit për procesverbalin e gjobës.

Njoftimi i Policisë

Bllokuan rrugën dhe penguan qarkullimin e automjeteve, gjatë tubimit të djeshëm, vendosen 31 masa administrative.

Procedohen penalisht 2 shtetas të tjerë, për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësve të Policisë.

Në zbatim të Aktit Normativ nr. 5, datë 28.10.2026, konkretisht pikës 2 të nenit 24/1, janë plotësuar 31 procesverbale për konstatimin e kundërvajtjeve administrative të kryera gjatë tubimit të zhvilluar pasditen e djeshme, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për shtetas që kanë bllokuar rrugën dhe kanë penguar qarkullimin e mjeteve të transportit, pavarësisht thirrjeve të përsëritura të punonjësve të Policisë, nëpërmjet megafonit.

Për secilin prej këtyre shtetasve është vendosur masa administrative gjobë në vlerën 5 000 lekë.

Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit D. G. dhe E. L., pasi dje në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” nuk i janë bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, për të paraqitur dokumentet e identifikimit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.