AKTUALITET, 17 Shtator 2019, 15:00

Rrezikojnë dënimin nga Grizman, Barcelona mund të mbyllë stadiumin Camp Nou

Rrezikojnë dënimin nga Grizman, Barcelona mund të mbyllë


Këtë verë transferimi i madh i Barcelonës ishte padyshim Antuan Grizman. Të dyja palët, si klubi ashtu edhe lojtari kishin bërë edhe më parë përpjekje për t’u bashkuar, megjithatë viti 2019 ishte momenti i duhur.

Por, jo gjithçka shkoi sipas planit pasi Atletiko Madrid ka hapur një çështje ndaj mënyrës së transferimit nga katalanasit.

Grizman kishte në kontratë një klauzolë e cila e lejonte të transferohej me një çmim më të ulët pas datës 1 korrik.

Kështu, njoftimi i Barcelonës erdhi pak ditë pasi klauzola hyri në fuqi, megjithatë madrilenët janë të bindur se francezi dhe blaugranët e kanë gjetur marrëveshjen para korrikut, ndaj në këtë formë i detyrohen ende para kryeqytetasve.

Ndërkohë, me çështjen e cila nuk ka marrë zgjidhje, së fundmi në Spanjë përflitet se një dënim i mundshëm për Barcelonën është edhe mbyllja e stadiumit Camp Nou për një ndeshje.

Ndërkohë, si opsion llogaritet edhe një gjobë prej 300 euro, një shifër e cila është e ulët ndaj dënimi për mbylljen e stadiumit ka fituar shumë kuota.