AKTUALITET, 26 Korrik 2018, 11:10

Rrëfimi i të mbijetuarit/ “U kapëm prej dore në det, thërrisnim emrat se nuk shihnim nga tymi”

Rrëfimi i të mbijetuarit/ “U kapëm prej dore në det,

Të mbijetuarit nga zjarret në Greqi kanë treguar tmerrin që kanë parë mes flakëve dhe njerëzit që vdisnin pranë tyre, të djegur apo të mbytur nga tymi.

Agni Gantona, banor i fshatit Mati, i cili është zhdukur pothuajse krejtësisht nga harta pasi u përfshi nga zjarret në pak minuta, tha: “Ne morëm makinat dhe u nisën drejt plazhit për të hyrë në det që të shpëtonim. Hymë në ujë dhe qëndruam atje për rreth pesë orë, deri kur erdhën të na marrin varkat apo anijet e shpëtimit. Ishin në atë plazh 250 apo 300 njerëz. Disa ishin djegur, disa të tjerëve iu binte të fikët nga tymi dhe hiri. Të grupuar, në mbanim njëri-tjetrin nga dora dhe thërrisnim emrat e njëri-tjetrit sepse nuk mund të shihnim as aq afër për shkak të tymit”.

Ndërsa banorët apo pushuesit thonë se kanë parë shumë njerëz të vdesin, autoritetet thonë se identifikimi i trupave të djegur apo shformuar është një sfidë shumë e vështirë. “Puna ka nisur me identifikimin e viktimave të zjarreve, por shumica e trupave janë krejtësisht të djegur”, tha për “Reuters” Grigoris Leon, kreu i Shoqërisë Helenike të Mjekësisë Ligjore.

Ishte e paqartë se çfarë e shkaktoi zjarrin, i cili u përhap me shpejtësi në komunitete. Por disa sugjeruan se forca e erërave, zona e mbushur me pisha, zjarri dhe paniku ishte një kombinim vdekjeprurës, duke e bërë shumë të vështirë për t’u ekzekutuar planin e evakuimit. “Armagedon” ishte faqja e parë e gazetës së përditshme “Ethnos”.

Në foto paraqitej një flamur grek i djegur, që varej mes degëve të një peme të shkrumbuar.