AKTUALITET, 26 Korrik 2018, 09:09

Frika nga zjarret, asnjë zjarrfikës shqiptar nuk merr pushime, nga 1 gushti të gjithë në punë

Frika nga zjarret, asnjë zjarrfikës shqiptar nuk merr pushime, nga 1

Për të mos u gjendur në të njëjtën sitatë të vështirë si ajo që ndodhi në Greqi, ku shumë qytetarë humbën jetën nga zjarri i përmasave të mëdha që ra në periferi të Athinës, Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes nga Zjarri në vendin tonë ka pezulluar të gjitha lejet për punonjësit e tyre. Këtë fakt e pohon shefi i zjarrfikësve në kryeqytet Shkëlqim Goxhaj, i cili shtoi se nga 1 Gushti deri më 15 Shtator të gjithë do të kalojnë në gatishmëri të plotë.

“Duke filluar nga data 1 Gusht ne do të kalojmë në gatishmëri të plotë, gjë që do të thotë se do i ndalojmë edhe lejet për efektivët e shërbimeve zjarrfikës në mënyrë që i tërë efektivi të jetë në brendësi të territorit të Tiranës. Nëse do të kërkohet për raste emergjente ndërhyrja e punonjësve që nuk janë në shërbim atëherë ata do të vendosen menjëherë në dispozicion të shërbimit. Pra periudha nga 1 Gushti deri më 15 Shtator kalojmë në gatishmëri të plotë ”, tha Goxhaj për ABC News.

Në rolin e drejtuesit Goxhaj thekson se situata e zjarreve ka qenë shumë shqetësuese, pasi një pjesë e mirë e tyre u shkaktuan nga dora e njeriut. Shqipëria nuk ka të njëjtin rrezik si Greqia përsa i përket situates së zjarrjeve, pasi ka ndryshime si në kushtet klimaterike ashtu edhe në reliev. Aktualisht në Tiranë janë të instaluar 6 stacione zjarrfikëse, ndërsa në 2019-n priten të shtohen edhe dy të tjera, pasi mesatarisht çdo ditë në kryeqytet ka 10 zjarre përfshi edhe djegiet e automjeteve.