AKTUALITET, 21 Janar 2019, 21:53

Mbledhja e parë e Kryesisë së PD, çfarë u vendos për protestat…

Mbledhja e parë e Kryesisë së PD, çfarë u vendos

Kryesia e PD-së, që doli nga votimi i së premtes, ka zhvilluar mbrëmjen e sotme mbledhjen e konstituimit.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, u shpreh se gjatë mbledhjes u diskutua lidhur me protestat që do të organizojë opozita.

Bardhi tha se ditën e nesërme, do të mblidhet Kolegji i Kryetareve në PD për këtë çështje e më pas edhe kryesia, për të vendosur se kur do nisin protestat dhe si do zhvillohen.

“Siç jeni në dijeni sot ishte, mbledhja e parë e konstituimit të kryesisë së Partisë Demokratikë. Në zbatim të vendimit të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratikë që ngarkoi kryesinë e re me organizimin e protestave popullore me qëllim largimin e qeverisë së Edi Ramës, sot kryesia ka diskutuar mbi strategjinë e protestave që do ndjekë PD dhe opozita për realizimin e kësaj vendimmarrje të Këshillit Kombëtar. Vendimi i kryesisë se PD-së është që nesër në 11 të thërrasë mbledhjen e Kolegjit të Kryetareve, një organ i ri statusor i PD-së për të diskutuar paraprakisht me ta mbi strategjinë e protestave që duhet të ndiqen dhe më pas gjatë pasdites do ketë një mbledhje tjetër të kryesisë së PD-së mbi detajet dhe strategjinë e protestave që do ndjekë opozita. Ky ishte vendimi i kryesisë, nesër ne 11 do të mblidhet kolegji i kryetareve që do diskutojë formën e protestës, datën e protestës dhe detaje që lidhen me protestën dhe me zbatimin e vendimit të këshillit kombëtar”, tha Gazmend Bardhi për gazetarët, në dalje të selisë blu.