AKTUALITET, 23 Shtator 2019, 21:25

Ronaldo injoron përsëri FIFA-n, për të dytin vit radhazi bojkoton “The Best”

Ronaldo injoron përsëri FIFA-n, për të dytin vit radhazi

Kristiano Ronaldo ka vendosur që të mos paraqitet përsëri në ceremoninë e “The Best”, çmimit prestigjioz individual që jepet nga FIFA për futbollistët më të spikatur të sezonit. Një vendim i çuditshëm, edhe për faktin se distanca mes Torinos dhe Milanos ku zhvillohet aktiviteti, është shumë e vogël.

Lojtari mendohej se do të ishte në sallë përkrah kolegëve të tij por sot është mësuar se nuk do të udhëtonte drejt Milanos, ashtu siç nuk do të udhëtonte për ndeshjen e radhës të Juventusit ndaj Breshias, meqë kishte një dëmtim të lehtë. Ky me sa duket është edhe justifikimi zyrtar që ka dërguar lojtari në FIFA, organizatë me të cilën ka pasur një përplasje më parë pikërisht për mungesën e tij në edicionin e kaluar.

Një vit më parë, ai mungoi ashtu si edhe Mesi, i cili ka udhëtuar këtë herë për ceremoninë. FIFA doli me një deklaratë të ashpër për shtyp vitin e kaluar, duke kritikuar yjet për këtë injorim që kishin bërë dhe përgjegjësinë që kishin para tifozëve. Por Ronaldo nuk ka ndërruar mendje me sa duket, pasi ka nuhatur se çmimi i “The Best”, për të cilin është në garë, nuk do të përfundojë në duart e tij.