AKTUALITET, 23 Shtator 2019, 19:22

E hëna e zezë e Juventusit me telashe financiare, klubi pëson humbje të mëdha në bursë

E hëna e zezë e Juventusit me telashe financiare, klubi pëson

Situata e Juventusit larg fushës së lojës po bëhet gjithnjë e më e zymtë, pasi llogaritë financiare të klubit tregojnë që skuadra është shumë larg pritshmërisë që ka për të ardhurat e vazhdon të shënojë humbje rekord. Kësaj tashmë i shtohet edhe një telash i madh me kuotimin në bursë të klubit, pasi aksionet vazhdojnë të bien në mënyrë të ndjeshme dhe këtë të hënë kanë shënuar një nga pikat më të ulëta në histori.

Që në orët e para të mëngjesit, trendi i aksioneve në bursë ishte negativ dhe ato kanë humbur 7,2%, duke arritur deri në 1,27 euro për kuotë. Në gusht, vlerat e kuotave në bursë kishin mbërritur deri në 1,58 euro, të rritur nga zërat e merkatos që shihnin Guardiolën të ulej në stolin e bardhezinjve. Por që atëherë ka filluar një rënie e ndjeshme e cila ka çuar në kuotat e ulëta aktuale.

Kështu, klubi ka filluar të regjistrojë humbje të ndjeshme në bursë duke pasur kësisoj më pak të ardhura e përballë një bilanci që sheh qindra milionë euro borxhe, presidenti Anjeli është detyruar që të kërkojë rritjen e kapitalit me 300 milionë euro. Të ardhura shtesë për të cilat klubi herët a vonë duhet të fillojë të japë llogari para UEFA-s, duke shtuar gjithnjë e më shumë emergjencën që ka Juventusi për të siguruar një trofe të rëndësishëm ndërkombëtar si Champions League për të përfituar bonuse të ndjeshme nga sponsorët.