SPORT, 29 Tetor 2018, 11:44

Rikthim në “vendin e ngjarjes”, Strakosha përballet sot me “tradhtarin”

Rikthim në “vendin e ngjarjes”, Strakosha përballet sot me

Disa muaj më parë, Interi arriti të bënte realitet ëndrrën e shumë tifozëve të cilët donin të rishikonin ekipin e tyre të zemrës në Ligën e Kampionëve dhe kjo u arrit falë një fitoreje të madhe në transfertë ndaj Lacios me rezultatin 2-3.

Më shumë se rezultati, vëmendje të madhe kishte edhe mbrojtësi Stefan De Vraji i cili në atë kohë luante për ekipin e Lacios, megjithëse ishte arritur akordi për kalimin e tij në Milano gjatë verës. Paraqitja e De Vrajit zhgënjeu shumë tifozët lacialë, të cilët nisën ta konsideronin holandezin si një tradhtar duke qenë se sipas tyre kishte mbajtur më shumë anën e Interit.

Sot, rreth 5 muaj më vonë, Lacio pret sërish në “Olimpiko” zikaltërit e drejtuar nga Spaleti dhe me interes pritet të shihet paraqitja që do të bëjë De Vraj në fushë, gjithmonë nëse zgjidhet të luajë. Natyrisht, presioni për të do të jetë i madh në një stadium të tejmbushur ndërkohë që gardiani shqiptar, Thomas Strakosha do të duhet ta shohë sot si rival ish-shokun e tij të skuadrës.