AKTUALITET, 26 Gusht 2019, 17:17

Rasti "Kajmaku"/ PDIU: Strategji e Rilindjes për kriminalizimin e politikës

Rasti "Kajmaku"/ PDIU: Strategji e Rilindjes për kriminalizimin e

Pas publikimit të fakteve për dënimin e kryebashkiakut monist të Vorës, Agim Kajmaku, reagon edhe Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet.

Në një deklaratë për mediat, PDIU shprehet se, ky rast është vetëm treguesi faktik i një strategjie për kriminalizimin e politikës, zhvlerësimit dhe depersonalizimit të çdo insitucioni te shtetit Shqiptar, që ka sjellë dhe humbjen e besimit dhe shpresës së shqiptarëve.

"Asnjë përgjegjësi personale të personave në fjalë nuk mundet të justifikojë përzgjedhjet recidiviste të kryetarit të Rilindjes dhe kryeministrit të vendit i cili po thellon një dukuri problematike për shoqërinë shqiptare, atë të rritjes dhe dhënies së mundësisë së vendimarrjes, e më pas fshehjes të së kaluarës të personave me precedentë kriminalë", thuhet ndër të tjera në deklaratën e PDIU.

Deklaratë e plotë e PDIU:

PDIU po ndjek me shqetësim situatën politike në vend si dhe rastet e fundit ku persona me precedent kriminal u emëruan pa garë në krye të bashkive të vendit.

Asnjë përgjegjësi personale të personave në fjalë nuk mundet të justifikojë përzgjedhjet recidiviste të kryetarit të Rilindjes dhe kryeministrit të vendit i cili po thellon një dukuri problematike për shoqërinë shqiptare, atë të rritjes dhe dhënies së mundësisë së vendimarrjes, e më pas fshehjes të së kaluarës të personave me precedentë kriminalë.

Rasti i kryetarit të bashkisë së Vorës Agim Kajmaku (Jorgo Toto), me sa duket nuk është as i pari po as i fundit.

Ai është vetëm treguesi faktik i një strategjie për kriminalizimin e politikës, zhvlerësimit dhe depersonalizimit të çdo insitucioni te shtetit Shqiptar, që ka sjellë dhe humbjen e besimit dhe shpresës së shqiptarëve.

Do duhej që pas ligjit të dekriminalizimit dhe daljes në dritë të një dukurie kaq problematike për shoqërinë shqiptare, të tregohej kujdes e vetpërmbajtje, por për fat të keq nuk ka asnjë shenjë se situata e vendit do mund të përmirsohet.

Edhe në këto zgjedhje virtuale, që nuk kishin as garë e as legjitimitet, u përzgjodhën individë problematikë me qëllim ndotjen e mëtejshme të mjedisit politik dhe të thellimit të një strategjie kriminalizimi që sjell vetëm dëshpërim e nënshtrim për qytetarët shqiptarë dhe braktisjen e vendit.

PDIU kërkon që institucionet e drejtësisë që nënshtrohen e fyhen në telefona nga kryetari i Rilindjes, të ngrihen në nivelin e respektit të vetes e të kryejnë detyrën minimale për të dërguar abuzuesit përpara drejtësisë.

Raste të tilla të përseritura qartësojne edhe njëherë qëndrimin e Opozitës se votimet farsë nuk mundet të zgjidhin konfliktin e fortë politik e social dhe rënien e standarteve të demokracisë në vend.

Vetëm zgjedhjet e lira dhe të ndershme pa garantuesit e krimit në pozita pushtetmbajtëse, zgjedhje të përgjithshme dhe lokale bashkë, do mund ti hapin rrugën normalizimit të jetës politike dhe rivënjen e standarteve të demokracisë në vend.

Asnjë rrugë tjetër nuk mund të shpëtojë një situatë që po rrëshket në mënyrë dramatike drejt autoritarizmit, bjerrjes se institucioneve dhe demokracisë në vend.