AKTUALITET, 27 Korrik 2021, 12:12

Raporti i OSBE, Basha: Të hetohen autorët e masakrës së 25 Prillit

Raporti i OSBE, Basha: Të hetohen autorët e masakrës së 25

Një ditë pas publikimit të raportit final të OSBE-së për zgjedhjet e 25 Prillit, kryetari i PD-së, Lulzim Basha kërkoi që të ndëshkohen ata, që sipas tij, masakruan procesin zgjedhor të 25 Prillit.

“25 Prilli nuk kishte asnjë lidhje me demokracinë dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme, ishte një masakër zgjedhore, këtë e kemi thënë prej ditës së parë, këtë e panë shqiptarët që kërkonin ndryshimin por që u pengua, me hile, dhunë dhe shantazh.

Këtë e di e gjithë bota demokratike. Raporti është vula e turpit. Blerje masive dhe presion ndaj votuesve, e kemi thënë ne dhe raporti. Shkrirja në një e partisë në pushtet dhe shtetit, e kemi thënë ne, e thotë edhe raporti.

Keqpërdorimi i asesteve publike, abuzimi me pushtetin dhe funksionet publike, rritje fiktive e punësimit, presion mbi punonjësit për të votuar partinë në pushtet, përdorimi i fondeve të rindërtimit, legalizime në këmbim të votës, e kemi thënë ne, e konstaton edhe raporti.

Vjedhja e të dhënave private nga partia në pushtet dhe patronazhistët, e kemi thënë ne, e ka zbuluar media, e konstaton edhe raporti.

Kemi depozituar 185 padi në SPAK dhe prokuroritë e rretheve, por asnjë krim elektoral nuk është ndëshkuar. Nuk po fërkojmë duart nga gëzimi se na doli fjala, pasi në 25 Prill nuk u dëmtua PD, por Shqipëria dhe shqiptarët”,-tha Basha.