AKTUALITET, 27 Korrik 2021, 09:21

Në prag të zgjedhjeve në Rusi, bllokohen faqet në internet të Alexei Navalny dhe aleatëve të tij

Në prag të zgjedhjeve në Rusi, bllokohen faqet në internet

Zyrtarët rusë kanë bllokuar qasjen në faqen e internetit të udhëheqësit të burgosur të opozitës, Alexey Navalny dhe në dhjetëra faqe të tjera të drejtuara nga aleatët e tij.

Rregullatori rus i internetit, Roskomnadzor tha se bllokoi navalny.com së bashku me faqet e tjera me kërkesë të prokurorit të përgjithshëm.

Në mesin e faqeve të bllokuara është faqja në internet e strategut të Navalnit, Leonid Volkov, ajo e Fondacionit Navalni për Luftimin e Korrupsionit dhe ajo e sindikatës Aleanca e Mjekëve, që mbështetet nga Navalni.

Masa vjen përpara zgjedhjeve parlamentare të shtatorit, dhe konsiderohet si pjesë kryesore e përpjekjeve të Presidentit Vladimir Putin për të rritur mbështetjen përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024.

Muajin e kaluar, një gjykatë ruse i shpalli “ekstremiste” organizatat e lidhura me Navalnin, duke ndaluar veprimtaritë e tyre dhe duke u mohuar njerëzve të lidhur me ato të drejtën për të kandiduar për poste publike.

Navalni është kritiku më i njohur i Putinit dhe organizata e tij ka punuar për të zbuluar rastet e korrupsionit në Rusi.

Ai aktualisht po vuan një dënim me 2.5 vjet në burg për shkeljen e rregullave të lirimit me kusht të lidhura me një dënim për evazion fiskal të vitit 2014, që ai thotë se ishte i motivuar politikisht.

Navalni ka akuzuar Kremlinin se është përpjekur ta helmonte atë me një agjent nervor. Qeveria ruse i ka mohuar këto akuza.

Arrestimi dhe burgosja e tij në fillim të këtij viti ndezi një valë protestash në të gjithë Rusinë dhe u dënua nga vendet perëndimore.

/Zëri i Amerikës