AKTUALITET, 2 September 2026, 21:24

Qeveria ndryshon ligjin për objektet e konfiskuara/ Synohet përdorimi për interes publik dhe strehim social

Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e sotme, ka miratuar propozimin për ndryshime dhe shtesa në ligjin për administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje.

Ndryshimet synojnë që këto objekte të përdoren për interes publik, strehim social, si dhe për zbutjen e pasojave sociale të shkaktuara.

Projektligji është propozuar nga ministri i Punëve të Brendshme dhe ministri i Ekonomisë dhe Inovacionit dhe do t’i përcillet Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për shqyrtim dhe miratim.

Vendimi, i cili mban firmën e kryeministrit Edi Rama, është marrë në mbështetje të neneve 81 dhe 100 të Kushtetutës dhe hyn në fuqi menjëherë.

Vendimi i Këshillit të Ministrave

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 66/2023, ‘Për administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje, me qëllim përdorimin e tyre për interes publik apo strehim social, si dhe zbutjen e pasojave sociale të shkaktuara’”.

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme dhe të ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave vendosi:

Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 66/2023, ‘Për administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje, me qëllim përdorimin e tyre për interes publik apo strehim social, si dhe zbutjen e pasojave sociale të shkaktuara’”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

Kryeministri
Edi Rama