AKTUALITET, 2 September 2026, 17:51

"Kam harruar kodin e kasafortës"/ Dyshohet se mashtroi Kejvina Kthellën duke i marrë 8 mijë euro, merret e pandehur shoqja e saj kryeinspektore

A.O, vajza që dyshohet se mashtroi Kejvina Kthellën, ish-të dashurën e të dënuarit me burgim përjetë, Redjan Rrajës, është marrë e pandehur nga prokuroria e Tiranës për akuzën e “Mashtrimit”, duke rrezikuar të marrë një dënim deri në 5 vite burgim.

Vendimi për marrjen e saj si e pandehur, e cila tashmë punon dhe si kryeinspektore në një institucion të shëndetësisë shqiptare, është marrë nga prokurori i çështjes, Bledar Valikaj, ku pas disa muajve hetimesh është provuar se Osmani i ka marrë shumën prej 8 mijë euro, Kejvina Kthellës duke mos ia kthyer më. Siç rezulton edhe në dosje, Kthella, ka rënë pre e mashtrimit financiar, pasi shoqja e saj, i ka marrë një shumë financiare prej 8 mijë euro, duke i premtuar se do t’ia mbante por nuk ja ka kthyer më. Në muajin maj 2026, A.O nga qyteti i Gramshit është proceduar nga prokuroria e Tiranës, për akuzën e “Mashtrimit”. Ndërsa tashmë ajo është marrë e pandehur dhe dosja kundër saj është dërguar në gjykatë.

Rasti është denoncuar në policinë e Tiranës në fillim të muajit maj 2026, ndërsa në datën 7 maj, materiali hetimor ka mbërritur për veprime hetimore në prokurori. Fillimisht prokurori i çështjes, ka kërkuar masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”.

Sipas kallëzimit që Kejvina Kthella ka bërë në polici, sasinë prej 8 mijë euro ajo e kishte kursyer nga të ardhurat e punës. Këtë shumë ajo ja ka lënë në ruajtje shoqes së saj të lagjes, pasi vetë Kejvina do shkonte në banesën e të afërmve të saj në Lezhë.

Për shkak se në shtëpinë në Tiranë, do shkonte pastruesja, sasinë e parave e ka hequr dhe ia ka dhënë në ruajtje, A.O. Kjo e fundit ka marrë shumën financiare dhe sot e kësaj dite nuk ia ka kthyer megjithëse, prokuroria e Tiranës ka nisur një dosje penale për “Mashtrim”.