AKTUALITET, 2 September 2026, 17:33

Porositë e Ramës në mbledhjen me ministrat, zbardhet “plani”/ “Zbrisni në terren”, ja detyra që morën drejtuesit politikë

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar këtë të mërkurë një takim me ministrat dhe drejtuesit politikë, ku në fokus ka qenë organizimi i aktivitetit politik dhe intensifikimi i kontaktit me qytetarët.

Mbledhja u zhvillua në ambientet e Vilës së Kuqe në Sauk. Sipas raportimeve, gjatë takimit drejtuesit politikë kanë paraqitur kalendarët e tyre për aksionin e quajtur “Ora e Pranisë Besnike”.

Në kuadër të këtij organizimi, pritet që deputetë dhe zëvendësministra të nisin që këtë fundjavë takimet në terren, me qëllim evidentimin nga afër të problematikave dhe kërkesave të qytetarëve.

Takimi në Sauk vjen një ditë përpara një tjetër mbledhjeje të planifikuar në Pallatin e Brigadave. Të enjten, Rama pritet të mbledhë grupin e plotë parlamentar dhe kabinetin qeveritar.

Angazhimi i strukturave në terren pritet të shërbejë si një nga drejtimet kryesore të aktivitetit politik në ditët në vijim.