BOTA, 31 Mars 2019, 23:54

Pse po hakmerren sauditët ndaj njeriut më të pasur në botë?

Pse po hakmerren sauditët ndaj njeriut më të pasur në

Dyshime të tmerrshme në lidhje me çështjen e vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi: Sauditët dyshohet se kanë hakeruar telefonin e Jeff Bezos, bosit të kompanisë Amazon. Gjithçka si hakmarrje për mbulimin kritik të vrasjes së gazetarit saudit?

Gazeta ‘Washington Post’, në pronësi të Bezos, ka shkruar më shumë se çdo gazetë tjetër në lidhje me vrasjen e gazetarit kritik ndaj qeverisë saudite, Jamal Khashoggi. Një skuadër vrasësish sauditë mendohet se e ka sulmuar 59-vjeçarin, duke e vrarë dhe duke i copëtuar trupin. Herë pas here, gazeta publikon detaje nga ngjarja- vetë Khashoggi kishte kohë që shkruante për gazetën.

Detektivi privat, Gavin de Becker, thotë për portalin Daily Beast: Ai është i sigurt së bashku me shumë ekspertë se autoritetet e Arabisë Saudite kanë hakeruar telefonin celular të Bezos, për të marrë informacione personale.

Siaps Becker, është e qartë se princi i kurorës, Mohammed bin Salman, 33 vjeç, e sheh gazetën ‘Washington Post’ si një armik të madh. Princi i kurorës shihet nga shumë njerëz si porositësi i mundshëm i vrasjes së gazetarit Khashoggi në tetor të vitit 2018.

Pas publikimit në një tabloid të mesazheve dhe fotove intime nga celulari i njeriut më të pasur në botë, ky i fundit kishte kërkuar nga Becker të zbulonte se kush qëndronte pas vjedhjes së të dhënave.

Fillimisht u tha se të dhënat kishin dalë nga vëllai i të dashurës së Bezos, por Becker mendon se kjo ishte një pistë e qëllimshme për të tërhequr vëmendjen.

Të shtunën, Washington Post publikoi të tjera detaje nga vrasja e Khashoggi. Disa prej anëtarëve të skuadrës komando që kreu vrasjen, ishin stërvitur në SHBA. Kjo rezulton nga disa burime në SHBA dhe në Arabinë Saudite, shkruan kolumnisti David Ignatius.

Shërbimi informativ amerikan ka raportuar autoritetet se disa nga këto stërvitje mund të jenë kryer në Arkansas me miratimin e Departamentit Amerikan të Shtetit.

“Stërvitja u zhvillua përpara incidentit Khashoggi,” shkruan gazetari. Pas vrasjes së kritikut të qverisë, asnjë stërvitje tjetër nuk u zhvillua. Programet e shkëmbimit mes SHBA dhe Arabisë Saudite në fushën e sigurisë, u pezulluan.

Ignatius përshkruan gjithashtu edhe fjalët e fundit të Khashoggi. Në konsullatën saudite në Stamboll atij i është bërë fillimisht një injeksion, ndoshta një qetësues i fortë. Më pas i kanë vendosur një qese në kokë, ndërsa ai bërtiste: “Nuk mund të marr frymë, jam astmatik. Mos ma bëni këtë”. Menjëherë pas kësaj, kritiku i qeverisë vdiq.

Senati amerika e ka fajësuar bin Salman për vrasjen e Khashoggi pas një seance dëgjimore me hetuesit e CIA-s. Presidenti i SHBA, Donald Trump megjithatë refuzon të mbajë një qëndrim publik kundër aleatit të fuqishëm. Në Arabinë Saudite duhet të përgjigjen për vrasjen 11 persona të dyshuar.