AKTUALITET, 8 Mars 2019, 11:50

Protestuan para Kuvendit, gjykata kërkon “arrest me burg” për 8 protestuesit

Protestuan para Kuvendit, gjykata kërkon “arrest me burg”

Sot në Gjykatën e Tiranës po zhvillohet seanca për vlerësimin e masës së sigurisë për 8 të arrestuarit për protestën e 5 marsit.

Sipas prokurorisë, të arrestuarit kanë kundërshtuar punonjësit e policisë dhe kanë hedhur në drejtim të tyre sende të forta dhe flakadan.

Prokurori kërkoi në fund, caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg” për të 8 të ndaluarit. Nga ana tjetër, mbrojtja e konsideroi arrestimin të paligjshëm që bëhet për të trembur njerëzit dhe të mos marrin pjesë në protesta.

Njoftimi i policisë:

Policia e Shtetit arreston 8 persona dhe 9 ndiqen në gjendje të lirë për aktet e dhunës në protestën e sotme përballë Parlamentit.

Rreth orës 10:30, në rrugën “George W. Bush”, para godinës së Parlamentit ku po zhvillohej seanca plenare, subjektet politike Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë zhvilluar një tubim.

Gjatë tubimit, pjesëmarrësit kanë kundërshtuar, goditur me mjete të forta e lëndë plasëse (gurë, shkopinj, fishëkzjarre etj.) punonjësit e Policisë, të planizuar me shërbim në ambientet përreth Kuvendit të Shqipërisë.

Pas analizimit të pamjeve filmike, raport-shërbimeve dhe provave të tjera të mbledhura gjatë protestës është bërë arrestimi në flagrancë për kryerjen e veprave penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Prishja e qetësisë publike”, i 8 shtetasve:

– N.C., 36 vjeç, banues në Sukth, Durrës (i dënuar më parë për vjedhje dhe drejtim mjeti pa leje drejtimi);

– A. M., 23 vjeç, banues në Tirane (i dënuar më parë për vjedhje);

– E. C., 33 vjeç, banues në Burrel;

– L.D., 37 vjeç, banues në Burrel (i dënuar më parë për vjedhje);

– A.P., 23 vjeç, banues në Tirane;

– M. N., 31 vjeç, banues në Kamëz;

– L. B., 41 vjeç, banues në Gramsh;

– E.G. 36 vjeç, banues në Lezhë.

Janë proceduar ne gjendje të lirë për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” edhe 9 shtetas të tjerë.

Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar kapsolla, doreza, kapuç, maska, pjesë metalike, flakadanë, etj.

Vazhdon puna për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore edhe të personave të tjerë aktiv, të përfshirë në veprime të kundra ligjshme gjatë protestës.

Materialet iu dërguan Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale penale “Organizimi dhe pjesëmarrje nw grumbullime e manifestime te paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Policia e Shtetit përsërit thirrjen drejtuar organizatorëve të protestave, të distancohen nga elementët problematikë e me precedentë, që cenojnë rendin dhe sigurinë, duke sulmuar e goditur punonjësit e policisë si dhe tentojnë të cenojnë integritetin e incitucioneve shtetërore. Organizatorët e tubimeve janë përgjegjës për plotësimin e kushteve që parashikon ligji.

Policia e Shtetit mbetet e vendosur për të zbatuar ligjin dhe vetëm ligjin, në interes të garantimit të rendit dhe sigurisë, mbrojtjes së jetës dhe pronës së qytetarëve, si dhe të mbrojtjes së institucioneve të rëndësisë së veçantë.