AKTUALITET, 16 Dhjetor 2018, 11:36

Protesta, studentët: Kryeministri le të plotësojë 8 pikat, s’ka nevojë për dialog

Një grup studentësh vijojnë të qëndrojnë para kryeministrisë, teksa këtë të dielë protesta shënon ditën e 12-të.

Studentët paralajmëruan se nuk do të tërhiqen nga kauza e tyre për plotësimin e tetë pikave.

“Kryeministri le të plotësojë 8 pikat, s’ka nevojë për dialog”, u shpreh një prej studentëve.

“Kjo është bërë më shumë një lojë nervash. nëse ai do të tregojë nervat ne do të qëndrojmë këtu, do vazhdojmë bojkotin e mësimit dhe protestën”, tha një studente.

Në mbështetje të studentëve ishin edhe qytetarë, ndërkohë që numri i protestuesve duket se ka rënë në krahasim me ditët e para.

Të hënën, protestë kombëtare

Tanimë, të rinjtë që kanë ditë që gdhijnë e ngrysin ditët në sheshin para Kryeministrisë janë të hapur edhe për të rinjtë e partive, me kushtin që të “zhvishen” nga ngjyresat.

Për ditën e hënë, flitet për një protestë kombëtare, së cilës pritet t’i mbështeten të rinjtë e PD-së e LSI-së.

Si në çdo diskutim tjetër mbi përshkallëzimin e protestës, janë diskutuar disa skenarë.

Një grup mendojnë vijimin e qëndrimit përpara Kryeministrisë, ndërsa të tjerë mendojnë ta çojnë më tej, duke bllokuar rrugët apo edhe duke u ngujuar nëpër fakultete.