AKTUALITET, 16 Dhjetor 2018, 10:16

Nga Enver Hoxha te Sali Berisha dhe Bashkim Fino, kush janë krushqitë më të famshme të Tiranës

Krushqitë dhe marrëdhëniet familjare mes të famshmëve gjithnjë tërheqin vëmendjen e publikut, që prej kohës së diktaturës, marrëdhëniet mes Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë dhe në kohët e sotme.

Kështu më poshtë do të sjellim në vëmendje disa nga dasmat më të komentuara mes VIP-ave të Tiranës, një pjesë e të cilave nuk mundën që t’i rezistojnë kohës.

Ilir, Enver dhe Teuta Hoxha

Historitë dhe misteret e ish-Bllokut të udhëheqësve as sot e kësaj dite nuk kanë dalë në dritë. Ishte aq hermetike ajo lagje saqë vështirë të dije se ç ‘bëhej brenda për brenda vilave ku nuk hynte as miza. Ama kur kishte raste si fejesa mes Ilirit, djalit të Enver Hoxhës, dhe Teutës, mbesës së krahut të tij të djathtë, Ramiz Alisë, lajmi merrte dhenë.

Thuhet se dy të rinjtë ishin të dashuruar dhe nuk ishte një fejesë e mblesëruar nga lart, për të lidhur edhe më fort dy familjet kryesore të Bllokut.

E vërteta vështirë të dihet. Ajo që dihet me siguri është që çifti vazhdon të jetë sot e kësaj dite i lidhur në martesë dhe se ajo ka qenë një nga krushqitë më të bujshme të kohës.

Margarita Kristidhi dhe Pirro Milkani

Është një nga çiftet më jetëgjata të botës së artit në vendin tonë. Margarita vinte nga një familje e ngritur në Tiranë me të atin doktor, dhe është njohur si një nga pianistet më të mira që prej kohësh kur ishte ende fëmijë.

Në kohën kur Pirro ka shkuar që të kërkojë dorën e saj te familja, i ati i Margaritës i ka kërkuar Milkanit që të mendohej mirë, pasi Margarita vetëm për kujdesin për pamjen shpenzonte 100 mijë lekë, që për kohën ishte një shumë e konsiderueshme.

Margarita e njohur ndryshe si Bebi, bënte modë edhe kur pakkush guxonte, madje krihej si Brigitte Bardot e qepte rroba sipas revistave italiane. Bebi ishte biondja më interesante e viteve bardhezi shqiptare, dhe sharmin vijon ta ruajë edhe sot

Gaqo dhe Luiza Cako dikur ishin krushq me Avni dhe Nina Mulen

Po aq sa ishte edhe fejesa që bëri bashkë katër emra të rëndësishëm të skenës.

Djali i vetëm i Gaqo dhe Luiza Çakos u dashurua e u fejua me sopranon bionde të Avni dhe Nina Mulës. Edhe pse kompozitori simpatik Pirro Çako sapo kishte filluar të binte në sy e të fitonte çmimet e para nëpër festivale, zgjodhi të sakrifikonte karrierën e tij e të largohej nga Shqipëria, që Inva Mula të bënte të sajën jashtë.

Pas shumë vitesh martesa e tyre mori fund. Pirro u kthye në Tiranë bashkë me divorcin duke prishur kësisoj edhe krushqinë Çako-Mula.

Elton Deda dhe Jola Mani

Një kurorë e prishur është edhe ajo e Elton Dedës dhe Jola Manit, ama për kohën kur historia e tyre e dashurisë shpërtheu, ishte shoëbiz e kaluar shoëbizit. Dy fëmijët e dy familjeve shumë të njohura të Tiranës së viteve ’90 u martuan pa dasmë e zhurmë.

Ama zhurmën e bëri shumë më shumë lidhja në krushqi e muzikantit Ferdinand Deda e pedagoges së fizikës Antoneta Deda me çiftin tjetër të artistëve Pirro dhe Pavlina Mani, të cilët vazhdojnë të jetojnë sot e kësaj dite në Amerikë, së bashku me Jolën, e divorcuar tashmë nga Elton Deda, dhe nipin e tyre, që lindi nga kjo martesë, e që është lidhja e përjetshme mes dy familjeve.

Vajzat e ish-presidentit Bamir Topi me partnerët

Ish-presidenti Bamir Topi i martoi të dy vajzat e tij me dhëndurë nga familje binesmenësh dhe lajmet e të dy fejesave u përhapën menjëherë. Nada, e madhja e hapi e para lojën dhe pas një lidhjeje të gjatë u fejua me Gurten Papulin, djalin e biznesmenit Agron Papuli dhe në mes të verës 2014 dasma e tyre madhështore ishte lajmi i ditës. Kurse vajza e dytë, Etida, u martua me Ilirin, djalin e një tjetër biznesmeni të njohur, Luan Bregasit.

Bamir Topi, baba i dy vajzave, nuk mund të kërkonte më shumë nga të bijat. Të martuara e të sistemuara në familje të njohura e të pasura. Krushqi për kokë të krushqive.

Djali i Nasip Nacos dhe vajza Edmond Haxhinastos fejohen 

Nasip Naço dhe Edmond Haxhinasto ishin të dy ministra të kabinetit “Rama 1”, kur nga kolegë u bënë edhe krushq. Vajza e Haxhinastos Eliza, u fejua me Frankon, djalin e Naços, në një ceremoni private, por që lajmi nuk ngeli aspak privat, duke u pasqyrur në të gjitha mediat si fejesë brenda qeverisë.

I ftuar në një nga televizionet shqiptare, krushku Edmond u shpreh shumë i kënaqur për këtë fejesë: “Kolegu im, Naço, është njeri me shumë integritet, me shumë taban, njeri shumë serioz dhe unë jam shumë i kënaqur”.

 

Dy krushqit e ish-kryeministrit Berisha 

Kurse ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë tre krushqi. Të parën, nga vajza e tij e madhe Argita, që u martua me Jamarbrin, djalin e Luan Malltezit, historian dhe ish-deputet i PD-së.

Krushqia e dytë, nga djali i tij Shkëlzeni nuk ishte me familje të njohur, ama e treta, nga lidhja e tij e dytë, pas divorcit me Sadije Berishën, i bëri Sali dhe Lirie Berishën krushq me Arben dhe Moza Mevlanin, prindërit e Arminës.

Ai spiker lajmesh për vite të tërë në disa nga ekranet më të rëndësishëm, kurse ajo instruktore e njohur fitnesi. Tashmë marrëdhënia mes tyre është afruar dhe më shumë pas fejesës së Shkëlzenit dhe Arminës.

   

Familjet Gjebrea dhe Haxhiymeri në fejesen e Jonit dhe Merlinit

Zhurma e fejesës së Jonit, djalit të Ardit Gjebresë ishte një nga më të bujshmet e këtij viti që po lëmë pas. Për shkak të famës së të atit edhe i biri është bërë personazh e ndiqet nga media, sidomos për shkak të fejesës me Merlinin, vajzën e Adi Haxhiymerit, një nga biznesmenët e njohur të kryeqytetit.

Djali i Bashkim Finos me vajzën e zyrtarit të LSI-së

Djali i deputetit socialist Bashkim Fino, Redi Fino u martua pak ditë më parë me vajzën e Gëzim Podgoricës, ish-drejtor i Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH), dhe njëherësh anëtar i kryesisë së LSI-së.

Ishte vetë Edlira, e cila bëri me dije se çifti është martuar, teksa pozoi me fustanin e bardhë të nuses bashkë me dhëndrin, në tarracën e një prej hoteleve më luksoze në qendër të Tiranës.