AKTUALITET, 18 Mars 2018, 15:21

Pronarët, procedurat e reja për kërkesat dhe ankesat në ATP

Ish-pronarët që janë të pritje të vendimeve të Agjencisë së Trajtimit të Pronës për njohjen dhe kompensimin e pronës mund të marrin informacion përmes portalit qeveritar e-albania. Së fundi në këtë portal janë shtuar shërbimet për kërkesë për statusin dhe problematikat e shqyrtimit të dosjes, kërkesë për ndryshimin e specialistit që shqyrton dosjen dhe procedurat për shqyrtimin e dosjes.

Kërkesa për këtë të fundit plotësohet përmes një formulari që është publikuar në portalin e-albania. Shërbimi elektronik “Ankesë dhe trajtim i dosjes me specialistin përkatës pranë ATP” u vjen në ndihmë qytetarëve që të dërgojnë online kërkesën për takime ose ankesa në lidhje me shqyrtimin e dosjeve të ndjekura nga Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP). Pas dërgimit të aplikimit, specialisti i Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun pranë ATP, bën shqyrtimin e kërkesës dhe të dokumentacionit shoqëru-es, nëse ka. Në rastin kur kërkesa është e rregullt, specialisti përpilon përgjigjen për kërkesën e aplikantit dhe ia dërgon me e-mail si dhe tek “Hapësira ime” në seksionin “Dokumentet e mia” në e-albania. Nëse përgjigja është kërkuar edhe në formatin letër, atëherë ai njoftohet se duhet të paraqitet pranë Agjencisë së Trajtimit të Pronave për ta tërhequr atë. Në rastin kur aplikimi nuk është i rregullt dhe nuk pranohet, aplikanti njoftohet për këtë fakt me anë të e-mail.

Dosjet me probleme

Shërbim elektronik “Kërkesë për statusin dhe problematikat e shqyrtimit të dosjes” u vjen në ndihmë qytetarëve që të dërgojnë online kërkesën për të marrë informacion në lidhje me ecurinë e shqyrtimit të dosjeve të ndjekura nga Agjencia e Trajtimit të Pronave(ATP). Pas dërgimit të aplikimit, specialisti i zyrës Juridike, pranë ATP-së, bën shqyrtimin e kërkesës dhe të dokumentacionit shoqërues nëse ka. Në rastin kur kërkesa është e rregullt, specialisti përpilon përgjigjen për kërkesën e aplikantit dhe ia dërgon me e-mail , si dhe tek “Hapësira ime” në seksionin “Dokumentet e mia” në portalin e-albania. Nëse përgjigjja është kërkuar edhe në formatin letër, atëherë ai njoftohet se duhet të paraqitet pranë Agjencisë së Trajtimit të Pronave për ta tër-hequr atë. Në rastin kur aplikimi nuk është i rregullt dhe nuk pranohet, aplikanti njoftohet për këtë fakt me anë të e-mail.

Kostoja e shërbimit 3 mijë lekë

Shqyrtimi i dosjeve në ATP, afatet dhe dokumentet

Shqyrtimi i dosjeve në ATP nis pas dorëzimit të dokumenteve që shoqërojnë dosjen. Dokumentacioni shoqërues, përbëhet nga: Kërkesë sipas formularit Tip (për subjektet që depozitojnë kërkesa të reja sipas vendimit të gjykatës për rivendosje në afat); kërkesa nënshkruhet nga subjekti i shpronësuar, dëshmi trashëgimie, në rast se subjekti i shpronësuar ka vdekur; dokument identifikimi i subjektit të shpronësuar apo përfaqësuesit me prokurë. Kërkuesi duhet të dorëzojë në ATP vërtetim pronësie, i shoqëruar me një kopje të fletës përkatëse të regjistrit hipo-tekor lëshuar nga ZVRPP për efekt të kthimit dhe kompensimit të pronës dhe dokumentin kadastral, shoqëruar me një kopje të fletës përkatëse të regjistrit kadastral nga zyra e administrimit dhe mbrojtjes së tokës në qark. Gjithashtu, pjesë e dosjes duhet të jetë vendimi gjyqësor i formës së prerë së bashku me hartën e pasurisë të vulosura me vulën e gjykatës dhe të shoqëruar me akt ekspertimin përkatës, në rast se gjatë gjykimit të çështjes është kryer një i tillë dhe dokument që vërteton shpronësimin, shtetëzimin apo konfiskimin e pronës së subjektit të shpronësuar, sipas akteve ligjore e nënligjore, vendimeve penale të gjykatave ose në çdo mënyrë tjetër të padrejtë që nga data 29.11.1944 ; apo dokumenti për pasuritë e paluajtshme të shtetasve shqiptarë të krijuara para datës 7 prill 1939, të cilat janë sekuestruar sipas nenit 14 të ligjit nr. 37, datë 13.01.1945 “Ligji i tatimit të jashtëzakonshëm për fitimet e luftës”, si dhe dokumentet e lëshuara nga Arkivi i Shtetit dhe Hipoteka.

Hapat e procedurës

Subjekti i shpronësuar depoziton, drejtpërdrejt ose me postë, në ATP kërkesën për njohjen/ kthimin apo kompensimin e pronës, shoqëruar me dokumentacionin e lartpërmendur. Kërkesa e subjektit të shpronësuar duhet të jetë sipas formularit tip, të miratuar nga ministri i Drejtësisë, me propozim të Drejtorit të Përgjithshëm të ATP-së, (ky formular gjendet në website-in zyrtar të ATP-së). ATP-ja pranon dhe administron kërkesat e subjekteve të shpronësuara kundrejt tarifave të përcaktuara, me urdhër të përbashkët të ministrit të Drejtësisë dhe të ministrit të Financave. Në rastet kur ATP-ja konstaton mungesë në dokumentacion, subjektit të shpronësuar i kërkohet plotësimi i dosjes përkatëse, brenda 30 ditëve nga çasti i marrjes së njoftimit për plotësim dokumentacioni. Dosja/kërkesa qëndron në sektorin e shqyrtimit deri në plotësimin e plotë të dokumentacionit ligjor dhe teknik të kërkuar, por jo më shumë se 30 ditë nga dita kur subjekti titullar i dosjes ka marrë dijeni për mangësitë e saj. Në rast të mosplotësimit të dokumentacionit të kërkuar brenda afatit të sipërcituar, propozohet marrjen e një vendimi në gjendjen që janë aktet. Të gjitha kërkesat për njohje dhe kthim të pronës, në zyrat e ATP-së shqyrtohen sipas rendit kronologjik të paraqitjes së tyre në ish- ZRKKP apo ATP Tiranë. ATP-ja, pas shqyrtimit të kërkesës merr një vendim për dosjen/kërkesën për pranimin/rrëzimin e plotë/e pjesshëm të saj.