TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim një shoqëri tregtare, së bashku me administratorin e saj, të identifikuar me inicialet S.L., të akuzuar për veprën penale të “Fshehjes së të ardhurave”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, hetimet për procedimin penal nr. 1150, të regjistruar në vitin 2021, kanë zbuluar se shoqëria “S” sh.p.k. nuk ka deklaruar të ardhura në vlerën 133.415.631 lekë gjatë vitit 2017. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe nuk ka dorëzuar librat e shitjes dhe të blerjes, duke shmangur detyrimet tatimore ndaj shtetit.
Nga kontrollet tatimore, verifikimi i të dhënave bankare, informacionet e deklaruara nga klientët dhe ekspertimi kontabël, është konstatuar se detyrimi tatimor i shmangur për vitet 2017–2018 arrin në 48.834.581 lekë.
Konkretisht, 46.695.471 lekë përfaqësojnë detyrimet për TVSH-në dhe Tatimin mbi Fitimin për vitin 2017, ndërsa 2.139.110 lekë janë detyrime të papaguara për TVSH-në gjatë vitit 2018.
Ndërkohë, sipas të dhënave të Drejtorisë Rajonale Tatimore Fier, detyrimi i përgjithshëm i shoqërisë ndaj buxhetit të shtetit, duke përfshirë edhe gjobat dhe interesat, arrin në 112.604.938 lekë, ose mbi 1.1 milionë euro.
Shoqëria dhe administratori i saj do të përballen me gjykimin për veprën penale të “Fshehjes së të ardhurave”, të parashikuar nga neni 180, paragrafi 3, i Kodit Penal.
Prokuroria e Fierit thekson se do të vijojë angazhimin në hetimin e veprave penale në fushën tatimore, të cilat shkaktojnë dëme në buxhetin e shtetit dhe cenojnë konkurrencën e ndershme mes bizneseve.