AKTUALITET, 18 Dhjetor 2018, 15:33

Presidenti Meta dënon kërcënimet ndaj gazetarit, Ylli Rakipi

Presidenti Meta dënon kërcënimet ndaj gazetarit, Ylli Rakipi

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, me anë të një deklarate, ka dënuar kërcënimet e ardhura në drejtim të gazetarit Ylli Rakipi. Meta apelon institucionet ligjzbatuese të hetojnë me përgjegjësi maksimale rastin.

"Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta pasi u njoh nga mediat me kërcënimet e bëra ndaj gazetarit të njohur, zotit Ylli Rakipi, priti në një takim të veçantë z. Rakipi dhe u njoh me shqetësimet dhe kërcënimet ndaj tij për shkak të detyrës.

Presidenti Meta shprehu solidaritetin e tij me z. Rakipi dhe të gjithë gazetarët që me guxim e profesionalizëm i shërbejnë interesit publik përmes fakteve dhe të vërtetave.

Presidenti Meta apelon ndaj institucioneve ligjzbatuese të hetojnë me përgjegjësi maksimale këtë rast me qëllim ndëshkimin e merituar të autorëve.

Presidenti Meta i bën thirrje të gjithë gazetarëve të denoncojnë çdo presion e shantazh që u bëhet në cënim të misionit të tyre i cili është vendimtar për demokracinë e sundimin e ligjit", thuhet në deklaratën e Presidencës.

/TPZ.AL/