AKTUALITET, 18 Dhjetor 2018, 13:39

Protesta e studentëve/ Opozita rikthehet në Parlament, Spaho: Ja pse vendosëm

Protesta e studentëve/ Opozita rikthehet në Parlament, Spaho: Ja pse

Opozita do të rikthehet në parlament në seancën e ditës së enjte dhe të premte.

Këtë fakt e ka konfirmuar fillimisht për mediat, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, pas takimit me zhvilloi me aleatët e opozitë.

Ndërkohë që kreu i grupit te PD-se, Edmond Spaho në një prononcim për mediat pas Konferencës së Kryetarëve, ka sqaruar se: “Ne s’jemi kthyer në Kuvend për marrëdhënie normale, por mbështesim kërkesat e studentëve. Zërin e tyre do të paraqesim atje,”.

Lidhur me këtë zhvillim ka reaguar edhe kreu i grupit të PS, Taulant Balla ka përshëndetur rikthimin e opozitës në Kuvend ku foli për reformën zgjedhore.

“Të votojmë së bashku reformën zgjedhore. Duke ditur se do riktheheshit, e depozituam sot në Kuvend ta miratojmë së bashku të enjten ose të premten,” tha Balla.

Takimi i aleatëve

Takimi është zhvilluar sot në selinë blu, mbledhje e thërritur nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha.

Në mbledhjen që zgjati rreth dy orë mori pjesë Monika Kryemadhi, Fatmir Mediu, Nard Ndoka, Agron Duka, Dashamir Shehi.

Kryemadhi ka thënë se opozita do të jetë në Parlament në seancën ku do diskutohet edhe njëherë miratimi i ligjit të buxhetit të shtetit, i cili u kthye nga Presidenti, Ilir Meta disa ditë më parë.

Meta e ka kthyer buxhetin me argumentin që qeveria të gjejë zgjidhje dhe dialog me studentët për të plotësuar kërkesat e tyre.