AKTUALITET, 25 Shtator 2019, 15:04

Presidenti i Kosovës takohet me shefin e Shtëpisë së Bardhë

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në pritjen e organizuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ndërsa u prit nga presidenti Donald Trump dhe Zonja e Parë, Melania Trump.

Gjatë takimit presidenti i Kosovës, Thaçi ka falënderuar shefin e shtëpisë së bardhë për kontributin e dhënë për popullin shqiptar të Kosovës në rrugën e gjatë për pavarësi dhe ndërtimin e shtetit të së drejtës.

Ai ka theksuar se mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për popullin e Kosovës ka qenë përcaktuese, fillimisht për mbijetesë dhe më vonë për jetësimin e aspiratës për liri dhe pavarësi. Kreu i shtetit të Kosovës ka thënë se vazhdimi i mbështetjes gjithëpërfshirëse amerikane është jetik për ruajtjen e paqes dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor dhe në mbarë Evropën. Takim me presidentin e SHBA ka zhvilluar edhe kryeministri Edi Rama.