AKTUALITET, 11 Gusht 2019, 19:40

Premier Ligë, Mançester Junajtid masakron Çelsin

Premier Ligë, Mançester Junajtid masakron Çelsin

Mançester Junajtid ka filluar sot pjesëmarrjen në Premier Ligë me një fitore të thellë 4-0 ndaj Çelsit. Por dueli mes skuadrave të drejtuara përkatësisht nga Solskjaer dhe Lampard nuk shkoi ashtu siç mund të sugjerojë rezultati përfundimtar i sfidës.

Ishte Çelsi që gjatë gjithë ndeshjes mbajti më shumë topin, krijoi më shumë raste e vuri shpesh në vështirësi De Gean. Por asnjë prej futbollistëve të londinezëve nuk ishte i saktë para portës, ndërsa nga ana tjetër prapavija e bluve linte shumë për të dëshiruar.

Një penallti e shpejtë e Rashford i dha avantazhin Mançester Junajtid që në minutën e 18 dhe pastaj skuadra qëndroi në pritje, duke shfrytëzuar vetëm kundërsulmet. Ajo ia doli t’i konkretizonte në pjesën e dytë të ndeshjes, kur Marsial, Rashford e pastaj debutuesi Xhejms, shënuan me lehtësi në portën e Kepa pas kundërsulmeve që shkonin edhe nga njëra zonë në tjetrën si në rastin e golit të fundit.

Ky ishte padyshim një rezultat ai papritur, por që bën të qartë se si Mançester Junajtid është një skuadër me potencial dhe pretendentët për titull duhet të kenë kujdes përballë “Djajve të kuq”.