TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Barcelona dy ditë më parë nuk kishte pranuar një shkëmbim të mundshëm mes Gonzalo Higuainit dhe Luis Suarezit, të ofruar nga Juventusi, por duke parë interesimin e bardhezinjve dhe ftesën që sulmuesi uruguaian ka marrë nga katalanasit për t’u larguar, futbollisti u është ofruar vetë ditën e djeshme kampionëve të Italisë.
Është ky skenari i ri që ka lindur në orët e fundit në Torino dhe pa dyshim që bisedimet kanë nisur, ndonëse pengesat për të arritur në një akord nuk janë të vogla. I pari dhe ndoshta më i rëndësishmi është ai që lidhet me pagën e Luis Suarezit, duke qenë se 33-vjeçari fiton 15 milionë euro neto në sezon te Barça, ku së bashku me bonuset mund të arrijë edhe në kuotën 18 milionë.
Një shifër e tillë është e pamundur për momentin nga ana e Juventusit, si rrjedhojë e humbjeve të shkaktuara nga Koronavirusi, që konfirmohen për të tepër edhe nga mosdakordësia me Paulo Dibalën, i cili u kërkon torinezëve pikërisht pagën që ka Suarezi.
Por një mundësi ekziston: Drejtuesit e “Zonjës së Vjetër” janë gati që të nisin të bisedojnë për kontratë dhe të hapin letrat në tavolinë, nëse Luis Suarezi pranon që të përgjysmojë pagën e tij, pra të ulë pretendimet në 7.5 milionë euro në sezon, plus bonuse, për dy vitet e ardhshme, siç është edhe kushti tjetër i vendosur nga futbollisti.
Dhe nëse mbi këto baza bomberi latin do të japë aprovimin e tij, patjetër që Juventusi do të nisë të lëvizë dhe mund ta finalizojë shumë shpejt edhe marrëveshjen e blerjes me Barcelonën, e cila nuk do të kërkonte më shumë se 20-25 milionë euro për kartonin e 33-vjeçarit.