TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ambasadori i Bullgarisë në Shqipëri, Ivajlo Kirov, ka folur nga Pusteci për praninë e shtuar të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut në këtë zonë gjatë vitit të fundit, si dhe për projektet që vendi i tij po zhvillon në Shqipëri.

I pyetur nëse kjo prani lidhet me zgjedhjet e ardhshme, Kirov u shpreh se çështjet e politikës së brendshme shqiptare nuk janë në kompetencën e tij. Ai theksoi se donacionet dhe projektet e Bullgarisë nuk janë të përqendruara vetëm në rajonin e Prespës, por shtrihen edhe në zona të tjera të vendit. “Kjo është politika e brendshme e Shqipërisë, nuk është në kompetencat e mia. Donacionet që bën Bullgaria nuk janë vetëm në rajonin e Prespës, por edhe në rajone të tjera. Kemi katër projekte të mëdha për zhvillim që nga viti i shkuar”, deklaroi ambasadori.
Kirov u ndal edhe te një prej projekteve të realizuara, që lidhet me parandalimin e krimit, duke e cilësuar këtë një prej elementeve të rëndësishme në rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. I pyetur për deklaratat e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, lidhur me ruajtjen e identitetit në rajon, ambasadori bullgar zgjodhi të mos komentojë qëndrimet e përfaqësuesve të shteteve të tjera.
“Unë mund të mbaj përgjegjësi për fjalët që them dhe jo të komentoj për fjalët e përfaqësuesve të shteteve të tjera”, tha Kirov. Duke iu referuar identitetit të banorëve të Pustecit, ambasadori përmendi edhe censusin e vitit 2023, duke theksuar se të dhënat e regjistrimit të popullsisë tregojnë se kush dhe çfarë është në këtë zonë.
“Ne nuk jemi në gjendje të ndajmë kush dhe çfarë është. Për ne më e rëndësishme është të punojmë së bashku me Shqipërinë, të kemi një bashkëpunim dypalësh”, u shpreh ai. Në fund, Kirov nënvizoi se aktiviteti i Bullgarisë nuk kufizohet vetëm në Pustec. Ai tha se gjatë këtij viti do të vijojë të jetë i pranishëm edhe në rajone të tjera të Shqipërisë, në kuadër të aktiviteteve dhe projekteve të bashkëpunimit dypalësh.