AKTUALITET, 11 September 2026, 15:21

Himarë, 35 hektarë të shkrumbuara/ Zjarret e javës së kaluar dogjën 6 banesa, ullishta dhe pemë

Flakët që përfshinë Himarën një javë më parë, dogjën rreth 35 hektarë sipërfaqe. Sipas një bilanci paraprak të autoriteteve, flakët shkrumbuan mijëra rrënjë ullinjsh dhe dëmtuan 6 shtëpi. Zjarri që shpërtheu pasditen e së premtes u përhap me shpejtësi, duke iu afruar zonave të banuara dhe strukturave turistike. Situata kërkoi mobilizimin e të gjitha strukturave të emergjencave në qark, ndërsa në operacion u përfshinë edhe Forcat e Armatosura dhe mjetet ajrore për frenimin e flakëve.

Krahas dëmeve në shtëpi, zjarri ka prekur sipërfaqe të konsiderueshme bujqësore, ndërsa autoritetet vijojnë verifikimet për të përcaktuar edhe dëme të tjera. Por sezoni i zjarreve ka vendosur në vështirësi edhe zona të tjera të qarkut të Vlorës. Vranishti, Kropishti dhe disa territore të tjera janë përballur me vatra të përmasave të konsiderueshme, me pasoja në pyje, bimësi dhe prona.

Në disa prej këtyre rasteve, hetimet kanë çuar edhe në ndalimin e personave të dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme. Ndërsa Himara mbetet një prej zonave më të goditura këtë sezon, puna në terren vijon për të përcaktuar bilancin përfundimtar të dëmeve dhe sipërfaqeve të prekura.