BOTA, 22 July 2026, 19:51

Polonia dhe Gjermania bashkojnë forcat për të fortifikuar kufirin me Rusinë

21.PNG

Ushtria gjermane ka dërguar xhenierë luftarakë në Poloni për të ndihmuar në forcimin e kufirit lindor të vendit me Bjellorusinë dhe enklavën ruse të Kaliningradit, njoftoi Bundeswehr-i.

Sipas ushtrisë gjermane, ushtarët, pjesë e një toge të përforcuar xhenierësh të blinduar, kanë mbërritur në Poloni në fillim të muajit korrik dhe po bashkëpunojnë me forcat polake për ndërtimin e masave mbrojtëse.

Detyrat e tyre përfshijnë hapjen e hendekëve antitank, vendosjen e pengesave për mjetet e blinduara, si dhe ndërtimin e fortifikimeve dhe pozicioneve mbrojtëse në terren.

Sipas Bundeswehr-it, qëllimi i këtij operacioni është rritja e kapaciteteve mbrojtëse dhe vonimi i një sulmi të mundshëm në rast konflikti ushtarak, duke i dhënë më shumë kohë ushtrisë polake dhe NATO-s për të reaguar.

Polonia, anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, e konsideron veten të ekspozuar ndaj kërcënimeve nga Rusia. Pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, Varshava ka investuar miliarda euro në projektin “Mburoja Lindore”, një linjë e fortifikuar mbrojtëse përgjatë kufijve lindorë të saj.

Ministria polake e Mbrojtjes synon që deri në fund të këtij viti të sigurojë rreth 250 kilometra të kufirit lindor dhe verior me fortifikime betoni, sisteme elektronike mbikëqyrjeje dhe depo për pajisje xheniere.

Zëdhënësi i Forcave të Armatosura polake, koloneli Marek Pietrzak, deklaroi se angazhimi i Bundeswehr-it përbën ndihmën e parë konkrete ndërkombëtare për këtë projekt.

Sipas autoriteteve polake, disa dhjetëra xhenierë gjermanë janë vendosur në qendrën e stërvitjes së Forcave Tokësore në Bemowo Piskie, në rajonin e liqeneve të Mazurisë.

Misioni i tyre është planifikuar të zgjasë fillimisht deri në fund të muajit tetor.

Kryeministri polak Donald Tusk reagoi për dislokimin e trupave gjermane përmes një postimi në rrjetin social X, ku shkroi: “Ushtarët polakë dhe gjermanë po forcojnë së bashku kufirin e Polonisë me Rusinë. Kjo ndodh vetëm nën qeverinë e Tusk”, duke e shoqëruar mesazhin me një emoji që qesh.

Ky koment u interpretua si një kundërpërgjigje ndaj opozitës konservatore të partisë PiS, e cila e ka akuzuar shpesh Tusk se ndikohet nga Berlini dhe se mban një qëndrim kritik ndaj Gjermanisë.