BOTA, 22 July 2026, 17:35

SHBA dhe Arabia Saudite drejt marrëveshjes bërthamore civile/ Izraeli dhe aktivistët kritikë për një garë të mundshme armatimesh

Shtetet e Bashkuara dhe Arabia Saudite pritet të njoftojnë një marrëveshje që do t’i hapë rrugën mbretërisë saudite për zhvillimin e një programi bërthamor civil, sipas raportimeve të mediave amerikane.

Njoftimi pritet të bëhet nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump gjatë së mërkurës. Marrëveshja mund të sjellë miliarda dollarë për kompanitë amerikane, të cilat pritet të përfshihen në ndërtimin e impianteve bërthamore, përfshirë një strukturë për pasurimin e uraniumit.

Uraniumi i pasuruar përdoret si lëndë djegëse për termocentralet bërthamore, por në nivele më të larta pasurimi mund të përdoret edhe për zhvillimin e armëve bërthamore. Pikërisht kjo ka ngritur shqetësime te ekspertët e sigurisë bërthamore dhe disa ish-zyrtarë izraelitë, të cilët paralajmërojnë se marrëveshja mund t’i japë Arabisë Saudite aftësi që në të ardhmen mund të shfrytëzohen për një program ushtarak bërthamor. Sipas raportimeve, marrëveshja do t’i lejojë Riadit të kryejë një studim të përbashkët me SHBA-në dhe më pas të mund të pasurojë uranium në territorin e saj për prodhimin e karburantit bërthamor, përmes një impianti të ndërtuar nga kompani amerikane.

 Kjo do të ishte një qasje ndryshe nga marrëveshja që SHBA-ja nënshkroi në vitin 2009 me Emiratet e Bashkuara Arabe, ku Abu Dhabi hoqi dorë nga pasurimi i uraniumit dhe pranoi kufizime më të forta për programin e tij bërthamor civil. Aktivistët kundër përhapjes së armëve bërthamore kanë shprehur shqetësim se një marrëveshje e tillë mund të dobësojë përpjekjet globale për të kufizuar përhapjen e teknologjisë që mund të përdoret për armë atomike.

Çështja bërthamore ka qenë një nga pikat kryesore të tensioneve mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit. Uashingtoni dhe Tel Avivi kanë deklaruar se synimi i tyre ka qenë pengimi i zhvillimit të një arme bërthamore nga Teherani, ndërsa Irani mohon se ka pasur një plan të tillë.

Princi i Kurorës saudite Mohammed bin Salman deklaroi në vitin 2018 se Arabia Saudite nuk synonte të siguronte armë bërthamore, por paralajmëroi se nëse Irani do të zhvillonte një bombë atomike, edhe Riadi do të ndiqte të njëjtën rrugë.

Sipas Wall Street Journal, marrëveshja është miratuar nga presidenti Trump dhe do të ketë një afat prej 30 vitesh. Nëse SHBA-ja kundërshton zhvillimin e pasurimit të uraniumit pas studimit të përbashkët, Arabia Saudite nuk do të lejohet ta zhvillojë këtë proces vetë apo përmes një partneri tjetër të huaj për një periudhë 10-vjeçare.

Marrëveshja do t’i dërgohet më pas Kongresit amerikan, ku pritet të përballet me kundërshtime nga disa ligjvënës republikanë dhe demokratë, pavarësisht se Partia Republikane kontrollon të dy dhomat e Kongresit.

Ndryshe nga përpjekjet e mëparshme amerikane, marrëveshja nuk është kushtëzuar me normalizimin e marrëdhënieve diplomatike mes Arabisë Saudite dhe Izraelit, një objektiv i ndjekur nga disa administrata amerikane në vitet e fundit.